Maqedonci: Parakalimi i FSK-së, shenjë e forcës dhe e përkushtimit ndaj sigurisë

17:12 | 12 Qershor 2024
maqedonci:-parakalimi-i-fsk-se,-shenje-e-forces-dhe-e-perkushtimit-ndaj-sigurise

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe i Policisë së Kosovës është një simbol i forcës dhe i përkushtimit të Kosovës ndaj sigurisë dhe mbrojtjes së territorit të saj.

Parakalimi u mbajt për të shënuar 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë, teksa Maqedonci ka thënë se edhe 25 vjet pas marshit të UÇK-së shumëçka ka ndryshuar, por emocionet mbesin të njëjtat.

“Trina, Arbëri, Zana e Klintoni, Melosi dhe Arbesa janë në mesin e mbi 1500 ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që marshuan sot me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Me ta ishin edhe Leotrimi, Drini, Luani e dhjetëra tjerë ushtarak të rinj, fëmijë e familjarë dëshmorësh të UÇK-së e që janë dëshmia më e mirë e vazhdimësisë sonë për liri, siguri e sovranitet. 25 vite pas marshit triumfues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumëçka ka ndryshuar, por emocionet dhe ndjenjat mbesin përjetësisht me të gjithë ne. Sikur edhe amaneti i përbashkët që ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë për të gjithë!

Parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me Policinë e Kosovës, i organizuar për këtë rast të veçantë, është një shenjë e fuqishme e forcës dhe përkushtimit të Kosovës ndaj sigurisë dhe mbrojtjes së territorit të saj.  Në këtë paradë, u shfaq po ashtu një pjesë e fuqisë sonë bashkëkohore dhe angazhimi për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin tonë në mënyrë të përkushtuar”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Komento: