Maqedonci: Procesi i transformimit në ushtri në fazën e dytë – FSK-ja do të ketë helikopterë nga 2025-ta

09:49 | 22 Shtator 2024
maqedonci:-procesi-i-transformimit-ne-ushtri-ne-fazen-e-dyte-–-fsk-ja-do-te-kete-helikoptere-nga-2025-ta

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se procesi i transformimit të Forcës Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri është në fazën e dytë. Por, sipas tij, me rritjen e buxhetit për FSK-në shumë pajisje ushtarake që janë paraparë të procedohen në fazat e mëvonshme janë blerë.

Maqedonci ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, është e paraparë që FSK-ja të ketë edhe flotën e helikopterëve e cila parashihet që të bëhet në fazën e tretë, që nënkupton nga viti 2025 deri në vitin 2028.

Ministri ka thënë se MB-ja është duke e mbështetur FSK-në për arritjen e objektivave të fazës së dytë të tranzicionit, fazë kjo që pritet që të kulmoj me validimin e tri regjimenteve të këmbësorisë së FSK-së, të cilat do të jenë të gatshme për të realizuar detyrën kyçe të tyre, që është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

“Në vitin e gjashtë jemi të planit të gjithëpërfshirës të tranzicionit, apo në fazën e dytë për shkak se plani gjithëpërfshirës i tranzicionit të FSK-së i hartuar edhe në bashkëpunim me ShBA-në, është i ndarë në tri faza. Faza e parë ka qenë prej viti 2019 deri në vitin 2022, ku fokus kryesor faza e parë ka pasur përpilimin e gjithë doktrinës së nevojshme, dokumentacionit të nevojshme për funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, miratimin e programeve trajnuese të FSK-së. Si dhe përpilimin e kërkesave për sisteme të armatimit edhe për pajisje të tjera për nevojat e FSK-së. Aktualisht jemi në fazën e dytë të tranzicionit, MB po e mbështet me të gjitha aspektet FSK-në për arritjen e objektivave të fazës së dytë të tranzicionit. Dhe kjo fazë pritet që të kulmoj me validimin e tri regjimenteve të këmbësorisë së FSK-së të cilat më pastaj do të jenë të gatshme për të realizuar detyrën kyçe të tyre që është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë, që të jenë të afat për të realizuar operacione luftarake të fokusuara në mbrojtjen, mësymje dhe stabilitete”, ka thënë Maqedonci.

Ai ka thënë se pas fazës së dytë, fillon faza e tretë e tranzicionit e cila fillon nga viti 2025, e që përfshinë ndërtimin e kapaciteteve të veçanta për FSK-në, e që janë mbështetja luftarake, mbështetja luftarake në shërbime, mbështetja ajrore si dhe mbrojtja kundër ajrore, transmeton Klankosova.tv.

“Pas përfundimit të fazës së dytë të tranzicionit, do të kalohet në fazën e tretë nga viti 2025, që nënkupton ndërtimin e kapaciteteve të veçanta për FSK-në, e që janë mbështetja luftarake, mbështetja luftarake në shërbime, mbështetja ajrore si dhe mbrojtja kundër ajrore.  Këto pritet që të zhvillohen në fazën e tret të tranzicionit. Aktualisht ne jemi duke arritur objektivat e paraparë në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, gjatë vitit të kaluar në kuadër të ushtrimit ‘Defender Europ 2023’ është validuar regjimenti i parë i këmbësorisë për detyra luftarake. Këtë vit me saktësisht gjatë vjeshtës së këtij viti do të validohet regjimenti i dytë i këmbësorisë për të qenë i aftë për të realizuar detyrat luftarake. Kurse në vitin 2025, do të validohet regjimenti i tretë i këmbësorisë për të përmbyllur kështu edhe fazën e dytë të tranzicionit”, ka thënë ai.

Ministri ka thënë se duke pasur mbështetjen e qeverisë së Kosovës, me rritje buxheti dhe me buxhet shtesë, kanë arritur që shumë nga sistemi i armatimit si dhe pajisjet të tjera t’i kenë në këtë fazë.

Sipas tij, këto pajisje janë dronët “Bajraktar” si dhe sisteme të ndryshme për mbrojtje ajrore.

“Normalisht që në duke pasur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, me rritje buxheti dhe me buxhet shtesë, kemi arritur që shumë nga sistemi i armatimit si dhe pajisjet të prokurojmë qysh në këtë fazë dhe që kanë qenë të planifikuara normalisht që të prokurohen në fazat e me vonshme. Siç është sistemi e që tani më është i njohur ‘Bajraktar’ i dronëve, por edhe sisteme të ndryshme duke përfshirë mortajat 120 milimetërshe, edhe mitralozat e ndryshëm që një pjesë e tyre kanë qenë të planifikuara që të blihen në fazën e tretë të tranzicionit ku do të duhej të ndërtoheshin kapacitet e plota ajrore për mbështetje ajrore të FSK-së”, ka thënë ai.

Maqedonci ka shtuar se në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, është e paraparë që FSK-ja të ketë edhe flotën e helikopterëve, e cila do të bëhet nga viti 2025 deri në vitin 2028.

“Bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, është e paraparë që FSK-ja të ketë edhe flotën e helikopterëve. Kjo flotë do të vendoset në fazën e trete të tranizicionit, që nënkupton nga viti 2025 deri në vitin 2028. Ne do të furnizohemi me helikopterë në mënyrë që të kompletojmë edhe këtë aspekt operacional të FSK-së. Normalisht ne në vazhdimësi me partnerët tanë, në veçanti me ShBA-në, jemi duke gjeneruar opsionet e blerjes së helikopterëve. Këta helikopter do të jenë shumëfunksional që përveç detyrave të mbështetjes me transport për trupat tona, do të kenë gjithashtu edhe mundësi që të realizojnë edhe operacione të evakuimit mjekësor por edhe operacione të tjera për mbështetje ushtarake për autoritet civile”, ka thënë ai.

Ministri i Mbrojtjes ka thënë se përformanca e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtareve të FSK-së si në trajnime, si në programet edukimi ushtarak, e në ushtrime nëpër vendet partnere është shumë e lartë. Ai ka thënë se pjesëtarë të FSK-së janë duke trajnuar rekrutët ukrainas që janë pjesë e grupit të instruktorëve ne operacione “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Komento: