
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur në takim ambasadoren e Kroacisë, Danijela Barisiq.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, ministri Maqedonci e ka njoftuar ambasadoren kroate për objektivat strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, duke përfshirë konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, si dhe fuqizimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Në takim, gjithashtu diskutuan për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet ministrive përkatëse, me theks të veçantë në industrinë e mbrojtjes dhe potencialin për bashkëprodhim.”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se ambasadorja kroate e ka vlerësuar orientimin e Republikës së Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, si dhe rolin e saj në forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon.