
Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur mbështetje të plotë për studentët shqiptarë të fakulteteve juridike, të cilët po kërkojnë respektimin e barazisë gjuhësore dhe kushtetuese në sistemin e drejtësisë.
Në reagimin e tij, BDI e ka cilësuar si hap serioz prapa vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, të udhëhequr nga Igor Filkov, për refuzimin zyrtar të peticionit të studentëve dhe lejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase. Sipas BDI-së, ky vendim cenon të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe krijon barriera për përfaqësim të barabartë në sistemin gjyqësor.
BDI vlerëson se arsyetimet e Ministrisë, të bazuara në interpretime selektive të ligjeve dhe në hierarki të njëanshme ligjore, bien ndesh me frymën e Kushtetutës, Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve si dhe standardet evropiane të barazisë dhe mosdiskriminimit.
Sipas këtij subjekti politik, vendimi nuk ka vetëm karakter teknik apo administrativ, por pasoja të drejtpërdrejta politike, shoqërore dhe institucionale, duke e shndërruar gjuhën në filtër për ushtrimin e profesionit të juristit dhe duke pamundësuar avancimin e kuadrove shqiptare në sistemin e drejtësisë.
BDI rikujton se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por që, sipas tyre, shumica aktuale qeveritare e hoqi nga procedura e miratimit pa asnjë shpjegim dhe nuk e riktheu më për shqyrtim.
Në këtë kontekst, BDI kërkon përgjigje të qarta dhe publike nga institucionet:
nëse ky është qëndrim individual i ministrit Filkov apo qëndrim zyrtar i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, nëse vendimi është marrë me konsensus dhe nëse ministrat shqiptarë janë pajtuar me të, si dhe nëse Qeveria ka ndërmend të respektojë dygjuhësinë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
BDI thekson se çdo tentativë për relativizimin e statusit të gjuhës shqipe përbën shkelje të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin ndëretnik dhe orientimin evropian të vendit.
Në fund, Bashkimi Demokratik për Integrim ka bërë të ditur se qëndron përkrah studentëve dhe kërkesave të tyre legjitime, duke paralajmëruar veprime politike dhe institucionale për të garantuar barazi reale në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se barazia gjuhësore nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese dhe ligjore.