Maria Bamieh rrëfen se si shkoi procesi kur alarmoi për korrupsionin në misionin e EULEX-it

08:48 | 17 Korrik 2022

Bamieh tregon si shkoi procesi kur alarmoi për korrupsionin në misionin e EULEX-it.

Ish-prokurorja e Eulex-it Maria Bamieh ka folur për punën që ajo bëri në misionin e EULEX-it në Kosovë, betejën e saj me qeverinë britanike, por edhe për tema të tjera. Ajo ka fituar rastin me Qeverinë Britanike gjatë kohës sa kishte shërbyer në EULEX.

Brenda këtij misioni në Kosovë ajo kishte sinjalizuar për korrupsionin në EULEX dhe për këtë shkak thotë se i ishte shkëputur kontrata dhe suspenduar nga puna.

Beteja e saj ligjore ka zgjatur me vite të tëra dhe tani ajo dhe ekzekutivi britanik kanë arritur një marrëveshje e cila kap vlerën e gjysmë milioni euro.

Ajo ka treguar për sfidat nëpër të cilat ka kaluar deri te ky epilog. Sipas saj, procesi që alarmoi për korrupsionin në misionin e EULEX-it, ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë, financiarisht dhe nga aspekti shëndetësor i lodhshëm.

“Nuk kam mundur që të ndalem për të gjetur indikacione mbi atë çka ka ndodhur ndaj meje dhe vet jam munduar që ta gjejë gjënë e duhur në atë kohë”, tha ajo për RTK-në.

“Si bëhet që unë hetohesha dhe askush nuk e hetonte as zonjën Novotna e as gjykatësin për akuzat e mia serioze me dëshmi të mjaftueshme. Kështu që unë thash se ata janë të korruptuar”, theksoi ish prokurorja e EULEX-it.

Ajo ka deklaruar se nuk ka pritur që procesi i saj të zgjasë tërë këto vite dhe siç ka thënë nuk ka pritur që EULEX-i t’i bëjë atë çka i ka bërë asaj. Për suspendimin e saj nga puna ajo tha se asnjë arsye nuk ishte dhënë për suspendim.

“Kolegëve iu është thënë të mos flasin me mua. Kisha dy zyrtarë të sigurimit që më përcillnin në zyrë për t’i larguar gjërat e mia nga zyra. Ata përcaktuan se çka mund të marr dhe çka jo. Më pas jam larguar në parking ku i kanë larguar të gjitha nga makina ime . Ka qenë një ndër përvojat më të vështira në jetën time”, theksoi ajo.

Komento: