Një sëmundje e rëndë mund ta kaplojë Mariupolin.
Qytetit port të Ukrainës, Mariupol, i shkatërruar nga bombardimet prej javësh të tëra dhe në kontrollin rus, tashmë i është shtuar një tjetër rrezik, sëmundja e rëndë e kolerës. Këtë lajm e ka ndarë për publikun Ministria e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke qenë se është shkatërruar pjesa më e madhe e infrastrukturës dhe kanalizimeve të qytetit, uji është bashkuar me ujërat e zeza.
Sëmundja e kolerës është një sëmundje që transmetohet përmes ushqimit dhe ujit të infektuar. Sëmundja, më së shumti lidhet me kanalizimet e dobëta dhe mungesën sanitare.
Kushteve jo të përshtatshme sanitare i shtohen edhe kufomat e pavarrosura dhe mbeturinat. Raste të shpërthimit të sëmundjes në Mariupol ka pasur edhe më parë, muajin e kaluar, por kanë qenë raste që janë izoluar dhe janë marrë masat e nevojshme.
Kryetari ukrainas i qytetit, Vadym Boychenko foli për BBC dhe tha se “kolera, dizenteria dhe sëmundje të tjera infektive janë përhapur tashmë në qytet dhe se qyteti është mbyllur dhe siguruar, për të shmangur një shpërthim më të madh të mundshëm”.
Pretendimet nuk mund të verifikohen nga BBC dhe kryebashkiaku i emëruar nga Rusia thotë se bëhen testime të rregullta dhe nuk ka asnjë rast të konfirmuar pozitiv me sëmundjen.
Ministria e Shëndetësisë së Ukrainës thotë se ka qasje të kufizuar në Mariupol, por shton se janë kryer testime të rregullta në Ukrainë dhe nuk është zbuluar asnjë rast.
Pak ditë më parë, OKB lajmëroi se uji ishte përzierë me kanalizimin e ujërave të zeza dhe mund të rriste rrezikun e shpërthimit të kolerës. Kryqi i Kuq ka paralajmëruar së shkatërrimi i infrastrukturës dhe shërbimeve sanitare kishte krijuar terren për shpërndarjen e sëmundjes së kolerës.