Marko Jakshiq: Tregimet për katastrofë humanitare janë të fryra, raftet e barnatoreve janë plot në veri

09:35 | 12 Dhjetor 2018

Liderët serb kanë filluar të luajnë rolin e viktimës menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj Serbisë.

Ata kanë paralajmëruar për një katastrofë për serbët e Kosovës.

Por, këto deklarime të tyre i ka demantuar përfaqësuesi i Lëvizjes Popullore Serbe “Atdheu”, Marko Jakshiq, i cili ka deklaruar se tregimet për një krizë të madhe humanitare në veri janë të fryra.

“Të vetmet që janë të zbrazëta janë barnatoret të cilat edhe para këtyre sanksioneve nuk kanë qenë të mbushura. Raftet e shitoreve, vetëshërbimeve dhe barnatoreve private janë përplot, e do të ishin edhe më të mbushura sikur Beogradi të lejonte mënyra alternative të furnizimit të mallrave, por Beogradi zyrtar nuk lejon në mënyrë që të vazhdojë të përhapë histori të katastrofës humanitare”, përcjell RTCG deklaratën e Jakshiqit për të përditshmen serbe “Danas”, transmeton Koha net.

Ai ka thënë se “asgjë nuk varet nga shqiptarët, sepse janë ato rrugë anësore në veri të Kosovës dhe do të duhej të kishit ushtri prej 100 mijë ushtarësh që të mund t’i kontrollonit të gjitha rrugët”.

Sipas tij, protestat në Mitrovicë të veriut janë veprime të ideuara nga zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

“Ato veprime në Mitrovicë të Kosovës që i ideon zyra për Kosovë e Metohi, politikisht janë veprime budallaqe dhe jokreative, nëse mund të them. Kë godasin fashat në gojët e studentëve në Mitrovicë të Kosovës? Sigurisht jo Brukselin, Ëashingtonin, Tiranën…”, shtoi Marko Jakshiq.

Komento: