William Walker thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës janë ftohur.
“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të forta. 20 vjet më parë secili në Amerikë dinte diçka për Kosovën dhe secili këtu e donte Amerikën. Për të dyja anët kjo është zbehur”, kështu shprehet, miku i madh i shqiptarëve, diplomati amerikan, William Walker.
Ai thotë se duhet të rikthehet interesi i Amerikës për Kosovën, e sa i përket kësaj ai tha se ndihet i zhgënjyer.
Njëzet vjet më parë ai i kishte rrëfyer botës për masakrën e Reçakut. Ngjarje kjo nga më të përgjakshmet në Kosovë.
E njëzet vjet pas, ish-shefi i Misionit vëzhgues të OSBE-së, William Walker, thotë se e ka shumë të freskët pamjen e tmerrshme të Kosovës.
Në 11-vjetorin e Pavarësisë së saj, ai bën lutje që të gjithë të punojnë për të. Thotë se nuk i pëlqen të dëgjojë teksa rinia nuk po qëndron në Kosovë.
“Mesazhi im për Kosovën është ta mbajë ritmin. Bëni atë që mendoni që është më e mira për Kosovë. Provoni të mbani rininë të cilën e edukoni këtu. Mos i leni të shkojnë në Gjermani, në Francë. Për tu dukur edhe më mirë, Kosova ka nevojë për punën e të gjithëve për të arritur atë. Nuk më pëlqen të dëgjoj si kosovarët ikin në Gjermani, Britani të Madhe e SHBA. Mesazhi im është: rrini këtu, punoni për Kosovën. Çdo herë po bëhet më mirë dhe të gjithë duhet të jemi optimistë”, tha ai.
Pas rrëfimit të Walker në komunitetin ndërkombëtar për masakrën e Reçakut, ajo është njohur si një nga ngjarjet kryesore, që ka shënuar një kthesë të madhe qysh në atë kohë, në diplomacinë ndërkombëtar. Kthesë kjo në raport me Serbinë e asaj kohe dhe Kosovën, duke i paraprirë të gjitha tyre çfarë ndodhën, që çuan deri te fushata 78 ditore e bombardimeve ajrore të NATO-s.
E përkrahje të njëjtë, 20 vjet pas Kosova nuk po gjen nga ndërkombëtarët.
Diplomati amerikan thotë se marrëdhëniet aktuale me SHBA-në nuk janë shumë të forta, për të cilën thotë se është i zhgënjyer.
“Marrëdhëniet janë mirë, por nuk janë shumë të forta. 20 vjet më parë secili në Amerikë dinte diçka për Kosovën dhe secili këtu e donte Amerikën. Për të dyja anët kjo është zbehur paksa dhe mendoj që shteti im (Amerika) nuk po bën gjithë atë që mundet për të ndihmuar Kosovën, miqtë tanë në Kosovë. Marrëdhënia është e mirë, nuk ka probleme të mëdha përveç harresës. Duhet të shpresojmë që të përmirësohet siç duhet. Jam paksa i zhgënjyer, por do të bëhet mirë”, thotë Walker.
Walker thotë se do të punojë që të rindizet interesi i Amerikës për Kosovën.
“Duhet të punoni edhe në atë dhe unë duhet të punoj gjithashtu. Shtetet e Bashkuara kanë shumë probleme tjera. Kosova ka kaluar disi në prapavijë. Duhet të rindezim interesin e Amerikës për këtë shtet. Amerika ishte shumë e përfshirë në krijimin e Kosovës, Amerika duhet të jetë shumë e interesuar për të ardhmen e Kosovës, për të mos harruar atë ëndrrën kosovareve për të cilën fola”, deklaron ai.
Në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, FSK ka parakaluar në sheshin e kryeqytetit, për herë të parë si Ushtri e Kosovës. William Walker thotë se 20 vjet më parë kur ka njohur Kosovën, asnjëherë nuk ka besuar se një gjë e tillë do të mund të ndodh.
“Kur e njoha Kosovën 20 vjet më parë ose po ta njihja Kosovën 11 vjet më parë, kurrë nuk do të besoja se do të shihja Ushtrinë e Kosovës duke bërë paradë në bulevardin “Nënë Tereza”. Nëse kjo ndodhi atëherë çdo gjë është e mundur. Më vjen mirë që njerëzit këtu po mendojnë për kulturën, arsimin, sportin…Ushtria nuk është shumë e madhe. Ishte kënaqësi të shihja ushtare femra. Jo të gjitha njësitë kanë femra por në tre ose katër grupe pashë femra. Kjo është një gjë shumë e mirë. Isha këtu një vit më parë dhe kam parë policinë dhe të tjerët duke marshuar, por kjo është ushtri dhe është shumë mirë. Çdo shtet duhet të ketë ushtri….I vetmi mesazh është: vazhdoni kështu, keni besim dhe bëni atë që mendoni se duhet bërë si kosovarë”, përfundon ai.
Miku i madh i shqiptarëve e diplomati amerikan, William Walker, si në çdo përvjetor të shtetit të Kosovës edhe këtë vit ka ardhur për ta festuar 11-vjetorin e pavarësisë.