Marrëveshja e Kumanovës, Çeku rrëfen detaje të pazbuluara më parë

23:11 | 14 June 2019

Janë bërë plot 20 vjet që kur Kosova është çliruar nga forcat serbe.

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka folur për marrëveshjen e Kumanovës, hyrjen e trupave ruse në tunelin e Goleshit afër Aeroportit, demilitarizimin e UÇK-së, transformimin e saj në TMK dhe krijimin e Ushtrisë së Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar.

Zëvendësministri aktual i Mbrojtjes ka rrëfyer edhe për listat e veteranëve të UÇK-së e që për këtë ka një aktakuzë si kryetar i komisionit për verifikimin e ushtarëve.

Çeku ka treguar se më 12 qershor të vitit 1999 kur edhe përfundoi lufta në Kosovë ka qenë në malet e Berishës bashkë më disa ushtarë të UÇK-së. Sipas tij nuk ka përshkrim për ndjenjat për përfundimin e luftës në Kosovë dhe finalizimin e misionit që kishin para vetës UCK-ja, atë të çlirimit të Kosovës.

Ai në emisionin “Blic Intervieë me Astrit Gashin” ka zbuluar ekskluzivisht se para nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës kishte informacione të sakta nga NATO-ja se një marrëveshje e tillë do të nënshkruhet dhe me këtë do të vijë edhe kapitullimi i Serbisë.

“Ishim në ngjarje tërë kohën si Shtab i Përgjithshëm, kishim informacione të shumta dhe javët e fundit ishim në kontakt të vazhdueshëm më shtabin e NATO-së në Kumanovë, me gjeneralin Micheal Jackson dhe bashkëpunëtorët e tij”.

“Por atë natë që është nënshkruar marrëveshja me 9 qershor, pas orës 12:00 kanë ardhur në Shtabin e Përgjithshëm një ekip oficerësh, forcat speciale të Britanisë së Madhe, kanë ardhur me marrëveshje të shkruar, kanë dhënë detaje për përmbajtjen e marrëveshjes, kishim disa njohuri, por jo detaje për largimin e forcave serbe, për dinamikën e futjes së forcave të NATO -së në Kosovë”.

Komento: