Marrëveshja e Ohrit, sot ballafaqimi i Kurtit në Kuvend me deputetët

08:52 | 23 Mars 2023

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në seancë plenare.

Në seancën që pritet të fillojë në orën 10:00, janë në rend dite 16 pika.

Në rend dite është edhe raportimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për takimin e Ohrit dhe dialogun me Serbinë.

Fundjavën që shkoi Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër mbi zbatimin e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

E mirëpritur në shkallë të gjerë nga diplomacia perëndimore, marrëveshja ka nxitur reagime në të dyja vendet. Në Kosovë, shqetësimet lidhen kryesisht me zotimin e saj që t’i jap një shkallë më të gjerë të “vetë-menaxhimit” komunitetit serb dhe të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ishte vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai që mbrëmë për herë të parë pranoi se ka Asociacion në Marrëveshjen e Ohrit.

“Ka Asociacion, neni 10 thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara, të cilat ngelen valide dhe të obligueshme. Pra 39 marrëveshje janë, prej 2 korrikut të vitit 2011 deri më 25 gusht të 2015, për diç më shumë se 4 vite, janë 39 marrëveshje”, deklaroi Kurti.

Komento: