Marrëveshja e Uashingtonit, veprime veç në letër në funksion të përmbushjes

20:56 | 14 Dhjetor 2020

Veprime veç në letër në funksion të përmbushjes së Marrëveshjes së Ëashingtonit.

Miratimi i një plani për zbatimin e zotimeve të Ëashingtonit është veprimi i vetëm që ka ndërmarrë Qeveria Hoti, 100 ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

Në planin 16-pikësh të Qeverisë për normalizim ekonomik parashihen marrëveshje financiare për projekte infrastrukturore, veprime në funksion të fizibilitetit të Ujmanit, si dhe nxjerrja e një qarkoreje që kërkon tërheqjen e aplikimeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në Zyrën e kryeministrit nuk kanë treguar se në cilën fazë kanë arritur veprimet për secilën prej pikave të cilat kanë të bëjnë me normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në opozitë thonë se kjo marrëveshje as që duhet zbatuar teksa e kanë kualifikuar si një dështim diplomatik të Qeverisë Hoti.

“Asnjë prej pikave që i kemi në atë marrëveshje e që lidhen me Serbinë nuk shkojnë në favor të Kosovës, prandaj ka qenë një dështim diplomatik dhe dëm i madh politik. U tha asokohe që ka qenë një takim historik, por që ka qenë i frytshëm vetëm për Serbinë”, ka thënë Albulena Haxhiu (VV). Sipas saj, fat i mirë është se presidenti Joe Biden ka paralajmëruar qasje tjetër karshi Kosovës.

“Ne po ashtu si subjekt politik jemi shumë të hapur që të kemi bashkëpunim në mënyrë që zotimet dhe marrëveshja e nënshkruar nga Hoti të mos jetësohet”, ka shtuar ish-ministrja e Drejtësisë.

E, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se ka pasur disa veprime të Qeverisë, por që fati i zbatimit të marrëveshjes do të varet nga qasja e administratës së presidentit Biden.

“Pas arritjes së marrëveshjes patën filluar disa lëvizje në zbatimin e saj nga ana e Qeverisë së Kosovës. Siç dihet, erdhi një delegacion amerikan për të parë se cilët janë hapat që ka ndërmarrë Qeveria drejt zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë Qeveria pati miratuar planin për zbatimin e saj”, ka thënë Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

“Tani ka një ndërprerje të këtyre aktiviteteve dhe nuk ka diçka që është shfaqur në publik se si po zbatohet ajo marrëveshje. Besoj se po pritet të shihet cila do të jetë qasja e presidentit të sapozgjedhur amerikan ndaj kësaj marrëveshjeje dhe si do të zbatohet me administratën e re amerikane”.

Kundërshtimet rreth Ujmanit

Pika e shtatë e planit të Qeverisë trajton çështjen më të ndjeshme të marrëveshjes, e cila u kundërshtua në Kosovë. Ajo i referohet zotimit të të dyja vendeve që të punojnë me Departamentin e Energjisë Amerikane në një studim të fizibilitetit për qëllimet e shfrytëzimit të përbashkët të liqenit të Ujmanit, si burim i mundshëm i ujit dhe energjisë.

Në Planin për zbatim është theksuar se Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit do të sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA. Fokusi do të jetë në eksplorimin e mundësive për të avancuar infrastrukturën e liqenit.

“Ky është dëmi tjetër shumë problematik, ku për herë të parë në një dokument Qeveria është pajtuar që për Ujmanin të angazhohet një ekip që ta shfrytëzojë bashkërisht me Serbinë. Një pronë dhe pasuri natyrore, ndonëse artificiale, që dihet se prej vitesh i takon Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Pika pasuese e dokumentit të Qeverisë ka të bëjë me dakordimin që të dyja palët do të diversifikojnë furnizimet e tyre të energjisë.

Një listë veprimesh është paraparë të ndërmerren në funksion të zbatimit të kësaj pike. Mes tyre, edhe finalizimi i studimit të fizibilitetit të gazsjellësit Kosovë-Maqedoni-EBRD, për të cilinë është thënë se është në implementim e sipër. Të tjera aktivitete janë: Përgatitja e studimit të fizibilitetit për zhvillimin e sektorit të gazit në Kosovë, sipas rekomandimit të studimit të parafizibilitetit të mbështetur nga MCC, që pritet shpejt të lansohet si kërkesë; Finalizimi i Gas-master planit që do të duhet të mbështetet nga EBRD dhe tashme është dërguar në ËBIF; Finalizimi i studimit të fizibilitetit për zhvillimin e sistemeve të ngrohjes qendrore në qytetet e mëdha të Kosovës, e cila do të duhet të mbështetet nga EBRD dhe tashëm është dërguar në ËBIF; Lehtësimi i diskutimeve me DFC-në duke organizuar tryeza të rrumbullakëta të sektorit privat për të avancuar investimet e mundshme në infrastrukturë dhe energji.

Qeveria po ashtu nuk ka treguar nëse është zyrtarizuar njohja nga Izraeli, e cila kishte ardhur pas zotimit të Hotit se Kosova do të bëhet ndër vendet e rralla që hap ambasadë në Jerusalem. Vendimi për hapjen e ambasadave në këtë qytet është në kundërshtim me udhëzimet e Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.

Riciklim i marrëveshjeve

Një pikë tjetër i referohet zotimit të të dyja palëve që të hapin dhe të operacionalizojnë pikën e përbashkët kufitare në Merdare. Punimet për ndërtimin e kësaj pike janë të përfunduara, por shkaku i refuzimit të palës serbe që ta zhvendosë stafin kufitar në objektin e ri rruga nuk ka mundur të përfundohet. Kosova dhe Serbia kanë negociuar për hapjen e këtij vendkalimi dhe disa të tjerave prej vitit 2011. Me gjithë ndërtimin e tyre me paratë e Bashkimit Evropian, funksionalizimi ka munguar.

Te pika e marrëveshjes që ka të bëjë me ndalimin e përdorimit të pajisjeve 5G të furnizuar nga ofrues të dyshimtë në rrjetet e tyre të komunikimit, në dokument është theksuar se institucionet e Kosovës do të përgatisin vendimin për masat parandaluese të përdorimit të pajisjeve 5G nga ofruesit e dyshimtë, sikur që Qeveria e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë një Memorandum të Mirëkuptimit për këtë.

Në dokument jepet edhe zotimi i kryeministrit që të jetë pjesë e takimit të radhës për “mini-Schengenin”.

Një nga pikat e marrëveshjes së Ëashingtonit shpreh zotimin e të dyja palëve që të mbrojnë dhe promovojnë lirinë fetare, duke përfshirë komunikimin ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe.

Në planin për zbatimin e marrëveshjes, Qeveria e Kosovës ka theksuar se Ligji aktual për lirinë fetare i vitit 2007 ka mangësi të theksuara, ndërsa ka shprehur zotimin se ligji i ri do të miratohet nga Qeveria dhe Kuvendi.

Serbia shkeli zotimet

Në anën tjetër, Serbia nuk ka dhënë sinjale se do t’i zbatojë pikat e marrëveshjes së Ëashingtonit. Madje ish-shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, pak ditë pas takimit ka folur me tone kërcënuese ndaj serbëve që tregojnë vendndodhjen e shqiptarëve të vrarë. Në një intervistë televizive ish-zëdhënësi i Milosheviqit kishte thënë se nuk ka çfarë t’u bëjë serbëve që po i tregojnë ku janë të varrosur shqiptarët gjatë luftës. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e zotimeve, ku sipas pikës 12-të të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet në identifikimin e të zhdukurve.

“Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit”, thotë pika e marrëveshjes.

Daçiqi ka çuar sinjale se nuk do ta respektojë as pikën tjetër, e cila flet për moratorium në kampanjën për çnjohjet e Kosovës. Qëndrimin nuk ia ka ndërruar as zotimi i palës kosovare që për një vit të mos adresojë kërkesa për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Komento: