Marrëveshja Kosovë-Serbi, ja çka thotë Kadri Veseli

19:17 | 05 Shkurt 2019

Veseli thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi e ndal depërtimin e Rusisë në Ballkan

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se është koha e duhur që Kosova t’i përgjigjet interesit të qytetarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Veseli në një intervistë ekskluzive në Klan Kosova ka thënë se Kosova me SHBA-të është e fuqishme, ndërsa pa përkrahjen e tyre është e dobët.

“Momenti duhet të jetë shumë i shpejtë që t’i përgjigjemi interesit të qytetarëve dhe partnerëve siç janë SHBA-të. Ka një logjikë shumë të thjeshtë”.

“Kosova me SHBA-në është më e fuqishme, e ruan tërësinë e vet territoriale dhe ec më shpejt në integrime euroatlantike”.

“Kjo është logjika mbi bazën e të cilës duhet të mendojmë të gjithë ne bashkërisht”.

“Kosova pa SHBA-në nuk është e fortë, nuk mund ta ruajë tërësinë e vet territoriale dhe bllokohet në procese, edhe në procesin e liberalizimit të vizave”.

Kryeparlamentari ka ripërsëritur qëndrimin e tij se taksa 100% e vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk duhet të hiqet, por vetëm të pezullohet.

“Ne duhet të veprojmë mençurisht që një vendimmarrje e cila ka qenë shumë racionale, është në interes të qytetarëve dhe është kundër Serbisë, pse t’i kthehet kundër Kosovës?”.

“A e kemi ne tarifën kundër Serbisë? Ta mbajmë kundër Serbisë, mos ta heqim, por ta pezullojmë për një periudhë të caktuar si një shenjë e mirë e raportit tonë me SHBA-në, mirëpo jo ta vendosim ndërmjet SHBA-së dhe partnerëve tanë perëndimorë. Këtë nuk do ta lejojmë”.

“Nuk është politika ime kjo. Jam i bindur në këtë çfarë po flas dhe kam eksperiencën e kaluar”.

Ai ka thënë se Kosova me SHBA-në në krah ka arritur t’i përmbyll të gjitha proceset e rëndësishme – nga Pavarësia deri tek Ushtria.

“Si e kemi arritur lirinë? Me SHBA-në”.

“Si e kemi arritur shtetin? Me SHBA-në”.

“Si e arritëm Ushtrinë? SHBA-ja na dha përkrahje… A pati ndonjë reagim? Ka pasë deklarata, por jo reagime”.

Veseli me ironi ka thënë se jo të gjithë ata që e njohin gjuhën angleze e kuptojnë edhe politikën amerikane.

“Ka shumë djem e vajza të jashtëzakonshme. Fëmijët tanë po e mësojnë gjuhën angleze, por nuk është mirë të mendohet se kur e mëson gjuhën angleze e kupton edhe politikën amerikane”.

“Politika amerikane është Shtëpia e Bardhë, Presidenti, Departamenti i Shtetit dhe është ambasadori i SHBA-ve”.

Duke folur për marrëveshjen finale me Serbinë, Kadri Veseli ka thënë se SHBA-të nuk duan që Kosova të veprojë kundër interesave të veta dhe atyre strategjike amerikane.

Por, për marrëveshjen finale megjithatë vendos Kuvendi i Kosovës.

“Kush e vendos opsionin në fund se si do të jetë Kosova? Ne e vendosim – Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Referendumi.

“E kemi thënë disa herë që SHBA-të, qoftë Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit ose ky ambasador, po kërkojnë që ne të mos veprojmë kundër interesave tona, kundër interesave strategjike amerikane dhe të përfshihemi në procesin e dialogut”.

“Kam qenë në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit, Kongresin Amerikan dhe kam pasë dhjetëra takime… Qëndrimi është ky: Mos dilni kundër interesave strategjike amerikane”.

Veseli ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që të ndalin Rusinë të depërtojë në Ballkan dhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është në kuadër të kësaj ideje.

“Ta them troç, qytetarët tanë duhet ta kuptojnë se SHBA-të dëshirojnë ta ndalin depërtimin rus në Ballkan. Marrëveshja Serbi-Kosovë e ndal depërtimin rus”.

“Për llojin e marrëveshjes do të vendosim në Kuvend. Pse po priremi nga e keqja? Pse po e dëmtojmë vetveten?”.

“Kush janë këta pseudopatriotë dhe psuedofilozofë që kanë ardhë në mendimin se presidenti amerikan, Donald Trump, është pro-rus?”.

Komento: