Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka ftuar partitë kosovare për konsensus për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Shqipëria është pro një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i hapë rrugë dy vendeve për një të ardhme më të mirë të tyre.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se Shqipëria do të nxisë në çdo mënyrë arritjen e një marrëveshje me Serbinë.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se duhet të zbutet klima ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa partive politike në vend, ambasadori shqiptar i kërkon që të kenë një konsensus në raport me temat e mëdha.
“Ne nxisim në çdo mënyrë që të arrihet një marrëveshje, marrëveshja ka të bëj me të ardhmen e dy shteteve dikur armiq dhe sot të luftohet sa është e mundur për të zbutur atë klimë që ka ekzistuar 20 vite përpara dhe është një domosdoshmëri sepse me arritjen e një marrëveshjeje do të stabilizohen shumë gjërat dhe fenomene është e rëndësishme të ketë mirëkuptim në mes palëve këtu brenda Kosovës, midis partive politike, një konsensus sa më i gjerë për temat që do diskutohen do të i shërbente shumë stabilitetit dhe pse jo edhe për të arritur një marrëveshje efeciente, një marrëveshje që do i shërbej interesave jo vetëm të Kosovës por edhe Serbisë”, tha Minxhozi.
Ai tha se ëndrra kosovare për momentin është që të integrohet në Bashkimin Evropian dhe të largohet regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës, sipas tij, kjo mund të arrihet me përpjekjet e të gjithëve së bashku.
“Ëndrra më e madhe e Kosovës do të ishte integrimi në Bashkimin Evropian që të bëhet një vend i BE-së ashtu siç aspiron edhe Shqipëria, Maqedonia dhe gjitha vendet e rajonit, prandaj kjo është një ëndërr që mund të kthehet në realitet me përpjekje të përbashkëta të kujtdo këtu në mënyrë që të ecë në rrugë që hap një perspektivë shumë të madhe për gjithë popullin”, tha ai.
Minxhozi tha se iniciativa e krijimit të Ushtrisë së Kosovës ka qenë një hap shumë i rëndësishëm dhe me këtë shpreson se Kosova do të arrijë të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
“Një hap përpara gjatë këtij viti ka qenë iniciativa për krijimin e ushtrisë, themelimi i ushtrisë është një hap i parë sepse pastaj ushtria do të përforcohet me shumë elemente nuk mund të themi se sot Kosova e ka ushtrinë por ka filluar rruga drejt formësimit të një ushtrie siç e kanë edhe vendet tjera të rajonit, ky është një hap shumë i mirë, por nga ana tjetër do të uronim që Kosova të ishte pjesë edhe e organizmave ndërkombëtar më tepër se në të kaluarën të rritet shkalla e njohjeve, besueshmëria tek partnerët ndërkombëtar që Kosova të ecë përpara dhe ajo që është shumë e rëndësishme që Kosova duhet të avancoj edhe më tej”, tha ai.
Ambasadori i Shqipërisë tha se bashkëpunimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë gjithnjë ka ekzistuar, madje sipas tij, taksa që i është vendosur Serbisë dhe Bosnjës nuk e matë ekonominë e dy vendeve shqiptare.
Për Minxhozin, Shqipëria dhe Kosova janë dy tregje të vogla për të cilën duhet ndihma e njëra-tjetrës që të përforcohet edhe më tej bashkëpunimi dhe të ketë sa më pak barriera.
“Synimin kryesor në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës nuk do ta masim se a ka taksë ndaj Serbisë apo jo, për ne është e rëndësishme të zhvillojmë sa më tepër iniciativën e zhvillimit të prodhimit, e përpunimit të mallrave në Kosovë e Shqipëri që të bëjmë sa më tepër shkëmbime në mes vete dhe është diçka shumë pozitive që gjatë viti të kaluar kemi pas një rritje prej 70 milionësh dhe kjo nuk është e lidhur me taksën ndaj Serbisë”, tha Minxhozi.
Diplomati shqiptar tha se Kosova duhet të fokusohet në rritjen e efikasitetit në fushën e ekonomisë që të prodhohet më tepër se sa të importohet nga jashtë, në luftën kundërkorrupsion dhe në sundimin e ligjit.
“Duhet të bëhet me tepër në rrafshin e luftës kundërkorrupsion që nuk është vetëm një fenomen në Kosovë por fenomen rajonal e më gjerë, prandaj gjitha përpjekjet duhet bërë në këtë drejtim në mënyrë që të krijohet një klimë me e favorshme për investitorët e huaj për të ardhmen për të investuar në Kosovë dhe në këtë kuptim mendoj se duhet bërë më tepër”, tha Minxhozi.