Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë një temë shumë e diskutuar.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes një letre të dërguar në adresë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiqit, ka treguar gatishmërinë e administratës së tij për t’ia marrë nga dora marrëveshjen finale Prishtinë-Beograd ndërmjetësueses së deritanishme të dialogut, Federica Mogherinit.
Zyra e Moghernit, në një përgjigje për Gazetën Express, thotë se ende e ka pronësinë mbi dialogun me SHBA-në si partnere. I vetmi që ka reaguar deri më tash nga oborri evropian është ambasadori gjerman, i cili ka thënë se marrëveshja eventuale duhet të festohet në Europë.
Në atë letër Donald Trumpi kishte thënë se SHBA-ja është e gatshme që të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, dhe kishte lënë të kuptonte se dëshiron që marrëveshja finale ndërmjet dy shteteve të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë në Ëashington dhe jo në Bruksel. Madje për nënshkrimin eventual është përmendur Rose Garden –Kopshti i Trëndafilave kapur me Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë deri më tani nuk ka zhvendosje të dialogut, përveç disa raportimeve të ndryshme në të cilën paraqiten modalitetet e përfshirjes së SHBA-së në dialog. Emri i Mattheë Palmer, zv.ndihmës i sekretarit të shtetit, është përfolur si emër që do të ndërmjetësojë këto bisedime.
Pala kosovare ka reaguar me entuziazëm, ndërkohë që Vuçiq ka shuar shpresat duke thënë se nuk pret marrëveshje të shpejtë pavarësisht angazhimit direkt të Trump.
Sido që të jetë dialogu aktualisht është i ndërprerë. Takim Thaçi- Vuçiq –Mogherini nuk pritet që të ketë në të ardhmen e afërt për shkak të taksës.
Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijancic.
“Ritmi, agjenda, formati i Dialogut vendoset nga të dy palët. Nuk ka asnjë takim të parashikuar në të ardhmen e afërt”, ka thënë ajo.
Sa i përket gatishmërisë së përfshirjes së SHBA-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kocijancic thotë se ajo që ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi është përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, ndërsa për SHBA-në ka thënë se bashkëpunojnë ngushtë për çështje të ndryshme përfshirë këtu edhe dialogun Prishtinë-Beograd.
“Dialogu ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini. SHBA vazhdon të jetë një partner me të cilin punojmë ngushtë në një numër çështjesh, duke përfshirë këtu edhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë zëdhënësja e Mogherinit.
E pyetur se a është duke punuar BE-ja për një takim të ardhshëm Thaçi-Vuçiq, kur dihet se tashmë qëndrimet e dy palëve janë betonizuar pas vendosjes së taksës prej 100 për qind, Kocijancic ka përsëritur edhe një herë thirrjen e Mogherinit për heqjen e taksës, dhe ka shtuar se BE-ja pret që shumë shpejtë që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut duke pasur parasysh rëndësinë e tij.
“Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen me përkushtim dhe shpejtësi drejt Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre në BE dhe përfitimet konkrete qytetarët”, ka potencuar ajo.
Ndërkohë sa i përket takës, Kocijancic ka thënë se vendimi është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen e CEFTA-s dhe frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asoocimit.
“Për tarifat qëndrimi ynë është i qartë: vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur tatimin mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina në 100% është një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe të frymës së Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini përsëriti dje urgjencën për t’i revokuar këto masa”, ka shtuar ajo.
E pyetur për agjendën e BE’së për vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësja e Mogherinit thotë se për vazhdimin e dialogut dhe për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse Prishtinë-Beograd nevojitet një klimë e cila kontribuon në fqinjësi të mirë, duke bërë thirrje kështu që të shmangen veprimet dhe deklaratat të cilat janë në kundërshtim me këtë frymë.
“Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjore për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në kontekstin e Dialogut Prishtinë-Beograd kërkon një klimë që kontribuon në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ku respektohen e zbatohen marrëveshje e kaluara dhe ku shmangen veprimet dhe deklaratat të cilat nuk janë në përputhje me interesin e përgjithshëm dhe objektivat strategjike për rajonin”, ka përfunduar zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Maja Kocijancic.
Sa i përket mënyrë së udhëheqjes së dialogut Kosovë-Serbi nga Federica Mogherini, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika të shumta, duke thënë se bisedimet i kanë dalë nga dora.
Ndërkohë sa i përket vendimit për taksën, pavarësisht presionit të Mogherinit e Johanes Hahnit, kryeministri nuk është zmbrapsur, duke thënë se vendimi do të hiqet vetëm në momentin kur Serbia ta njoh pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë është diskutuar shumë edhe për përfshirjen e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në një përgjigje për Express ka thënë se sa më shumë që të përshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dialog, marrëveshja do të jetë edhe më e mirë dhe më e dobishme për Republikën e Kosovës.
Ndërkohë për ekipin e unitetit, që përfaqësohet nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, ajo thotë se nuk përfaqësojnë asgjë, dhe se me vizitën e tyre në Bruksel e kanë legjitimuar Hashim Thaçin në krye të dialogut, dhe i kanë hapur rrugë pazareve të tij për çështjen e ndryshimit të kufijve.