Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright. Në këtë takim kanë qenë prezentë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në një komunikatë, ZKM ka njoftuar se Kurti e ka falënderuar Albright për “bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit sa më shpejtë të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në korrik të këtij viti”.
Ndërsa, Albright “u shpreh falënderuese për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe dha gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj”.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti mirëpriti Shefen Ekzekutive të MCC-së, Alice Albright
Prishtinë, 17 tetor 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi mirëpritën sot Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, e shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
I nderuar nga vizita e saj në Kosovë, kryeministri Kurti e falënderoi znj. Albright për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit sa më shpejtë të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në korrik të këtij viti.
Përpos ratifikimit në Kuvend me mbështetjen e 89 deputetëve në më pak se një ditë pas nënshkrimit, në mbledhjen e 100-të të Qeverisë, janë themeluar edhe dy grupe punuese në shërbim të zbatimit të marrëveshjes. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik.
Marrëveshja me MCC-në për Programin Kompakt vjen në një moment kritik. Republika e Kosovës synon një ekonomi të orientuar kah eksporti dhe rritje të kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme. Për të dy këto, Programi Kompakt dhe MCC-ja janë shumë të rëndësishme, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.
Shefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright u shpreh falënderuese për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe dha gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj. Ajo tha se Programi Kompakt është projekt afatgjatë për Kosovën, me prioritet edhe për vetë MCC-në.
Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së znj. Albright në Kosovë. Vizita e saj vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me vlerë 236.7 milionë dollarë amerikan. Ai përbën investimin më të madh dhe më inovativ në sektorin e energjisë në Kosovë deri më sot dhe do të kontribuojë në sigurinë energjetike të vendit.
Programi Kompakt përfshin tri projekte:
1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë prej 340 MËh,
2. Zhvillimin e fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe
3. Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Investimet e Programit Kompakt do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës dhe shënojnë një nga bashkëpunimet më të rëndësishme zhvillimore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.