Referendumi mund të shërbejë vetëm si një referendum konsultative apo fakultativ.
Kosova mund të organizojë një referendum konsultativ në rast të arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë për normalizimin e raporteve, thonë njohësit e sistemit juridik-kushtetues.
Ata rikujtojnë po ashtu se Kuvendi duhet të miratojë paraprakisht edhe Ligjin për referendum.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, i cili ka qenë anëtar i Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova ka nevojë të ketë Ligjin për referendum, si formën më të drejtpërdrejtë të demokracisë që përfshin qytetarët në çështje të caktuara.
“Referendumi mund të shërbejë vetëm si një referendum konsultative apo fakultativ dhe nuk ka asnjë pengesë që Kuvendi i Kosovës për cilëndo çështje nga kompetenca e veta të mund të shpall një referendum. Por, referendumi në këtë rast nuk ka karakter detyrues, ai është vetëm konsultativ sepse vendimmarrja duhet të kthehet në rrugën kushtetuese, do të thotë votimi nga Kuvendi i Kosovës”, tha Bajrami.
Ai tha se nëse në të ardhmen dëshirohet që me referendum të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato eventuale me Serbinë, paraprakisht do të duhej të ndryshohej edhe Kushtetuta.
“Në këtë rast, referendumi do të ishte i ngjashëm me atë që u mbajt për ndryshimin e emrit (rasti i Maqedonisë së Veriut). Do të ishte vetëm një matje e vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kurse vendimmarrja duhet të kthehet në mënyrë kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Bajrami.