Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po vazhdon betejën për anashkalim të Kuvendit, tash për shkak të marrëveshjes me Serbinë.
Të hënën Zyra e Presidentit Hashim Thaçi ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese sqarimet shtesë lidhur me kërkesën për interpretimin e Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Thaçi ka kërkuar nga Kushtetuesja të dijë nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti konsiderohen të ratifikuara ose nëse ato patjetër duhet të miratohen nga Kuvendi.
Në fillim të shtatorit presidenti Hashim Thaçi kishte kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese të Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, që ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Thaçi kishte kërkuar që Kushtetuesja të sqaronte nëse konsiderohen të ratifikuara marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti pa pasur nevojë që ato të dërgohen në Kuvend për miratim me votat e dy të tretave (2/3) të deputetëve. Por gardiania e Kushtetutës kishte kërkuar sqarime shtesë nga parashtruesi i kësaj kërkese.
Këto sqarime Zyra e Thaçit ia ka dërguar të hënën Gjykatës. Por kërkesa e Thaçit po vlerësohet si tentim për ta anashkaluar Kuvendin e Kosovës në ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare që pritet të arrihet me Serbinë në kuadër të dialogut të Brukselit, shkruan Zeri.