
Një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin “nuk duket të jetë e prekshme për momentin”, ka thënë një zyrtar izraelit të hënën, ndërsa ushtria e Izraelit vazhdonte të kryente sulme në Iran dhe Liban.
“Iranianët nuk duket se janë në ndonjë fazë lëshimesh – nuk jemi ende aty,” tha zyrtari, duke sugjeruar se negociatat e supozuara janë një taktikë për të fituar kohë dhe për t’u përgatitur më mirë për sulme të mëtejshme ushtarake, raporton CNN.
Zyrtari pranoi se ka disa vende që po përpiqen të ndërmjetësojnë mes SHBA-së dhe Iranit, “por sipas dijenisë sonë, ende nuk ka ndonjë propozim konkret në tryezë.”
Të martën në mëngjes, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e bëri të qartë se Izraeli nuk e ka ndalur fushatën e bombardimeve në Iran.
“Ne vazhdojmë të godasim Iranin me forcë të plotë,” tha Katz gjatë një vlerësimi të situatës. Ushtria izraelite tha javën e kaluar se ka “mijëra objektiva” të mbetura në Iran dhe plane për të paktën disa javë të tjera lufte.
Komentet e Katz për vazhdimin e luftës bien në kontrast me qëllimin e deklaruar të presidentit Donald Trump për të negociuar përfundimin e konfliktit. “Ata duan të arrijnë një marrëveshje dhe ne do ta realizojmë këtë,” i tha Trump një turme në Memphis, Tennessee, të hënën.