Oret nuk po zëvendësohen në të gjitha shkollat.
Edhe përkundër marrëveshjes së fundit mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), që orët e humbura gjatë grevës të zëvendësohen, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur.
Shumica e shkollave në Kosovë nuk janë duke e respektuar marrëveshjen e arritur më 15 prill mes MASHT-it dhe DKA-ve për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim.
Dy javë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, vetëm një numër i vogël i shkollave i kanë zëvendësuar orët të shtunave.
Së orët nuk po mbahen në të gjitha shkollat, e pranon edhe kryetari i Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Arsimit, Besim Avdimetaj.
Në një përgjigje për lajmin Avdimetaj ka thënë se kjo mbetet nën përgjegjësin e drejtorëve të shkollave.
Ai ka thënë se nëse nuk realizohen 175 ditë pune është në pikëpyetje viti kalendarik.
“Disa nuk po mbajnë mësim, por ka mbetur nën përgjegjësin e Drejtorëve të Shkollave që të plotësojnë ditët e punës. Ata mësimdhënës do të bëjnë përpjekje gjatë muajit maj edhe në fund të viti shkollorë që një javë të plotësojnë. Se sa i realizojnë është nën përgjegjësin e Drejtorëve të Shkollave. Nëse nuk realizohen 175 ditë pune është në pikëpyetje viti kalendarik”, ka thënë Avdimetaj
Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Arbër Gecaj, ka thënë se në takimin e fundit me Drejtorët e Drejtorive Komunale janë dakorduar që ata të marrin përsipër procesin e zëvendësimit të orëve.
Ai po ashtu ka shtuar se tani janë duke pritur raportet nga Drejtorët e Drejtorive Komunale për të parë se si ka ecur procesi.
“Ne në takimin e fundit jemi dakoruduar që Drejtorët e Drejtorive Komunale të marrin përsipër procesin e zëvendësimit të orëve dhe të bëjnë një planifikim që ata e shohin më të arsyeshëm. Dhe këta janë betuar që të plotësojnë normën që është i planifikuar për vitin akademinë. Ne në ndërkohe presim raportet nga Drejtorët e Drejtorive Komunale për të parë se si ka ecur procesi. Ne duke qenë se kishin një vendim paraprak dhe duke parë që java e pushimit pranverorë që ishte planifikuar për zëvendësimin e orëve nuk është zbatuar në të gjitha komunat. Ne vendosëm që varësisht nga situata që kanë nëpër komuna Drejtorët e Drejtorive Komunale të vendosi se si do të planifikojnë zëvendësimin mëtutjeshëm të orëve”, ka thënë Geci.
Geci tutje ka thënë se Ministria e Arsimit siguron që orët e humbura gjatë grevës do të kompensohen.
“Ne ju sigurojmë që orët e humbura do të kompensohen sepse është obligim i yni ligjorë, që të plotësojmë normën mësimore të planifikuar qysh në fillim të viti akademik, janë të caktuar ditët për zëvendësimin e orëve me udhëzimin administrativ dhe ne jemi të obliguar që t’i kompensojmë këto”, ka thënë tutje Geci.
Në anën tjetër shumica e shkollave po i binden vendimit që e ka nxjerrë Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, sipas të cilit nuk zëvendësohen orët.
SBASHK-u e ka vënë një kusht që nëse në Ligjin për paga ngritën koeficientet e mësimdhënësve fillorë, psikologëve, pedagogëve dhe sekretarëve të shkollave, në fund të vitit shkollor do të zëvendësohet vetëm një javë mësim.