Marrëveshja u bë, por diçka po e bllokon zyrtarizimin! Milan në pritje…

21:57 | 26 Gusht 2025

AC Milan është shumë pranë përfundimit të transferimit të Conrad Harder nga Sporting, por marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar për shkak të një vonese që lidhet me klubin portugez. Sipas burimeve të afërta me tratativat, të gjitha kushtet personale janë rënë dakord, ndërsa edhe marrëveshja mes dy klubeve është mbyllur në parim.

Megjithatë, problemi kryesor që po mban pezull kalimin e danezit në “San Siro” është mungesa e një zëvendësuesi te Sporting. Klubi nga Lisbona nuk është i gatshëm të lejojë largimin e Harder pa siguruar më parë pasuesin e tij. Në horizont është emri i Fotis Ioannidis, sulmuesi grek që pritet të zëvendësojë Harder në repartin ofensiv, përcjell ORAinfo.

Burime pranë klubit kuqezi kanë konfirmuar se në këtë moment, vizitat mjekësore nuk janë miratuar ende, dhe se lojtari nuk është nisur për në Milano. Fillimisht u raportua se ai do të mbërrinte mbrëmjen e djeshme, më pas në orët e para të mëngjesit të sotëm, por gjithçka është shtyrë për shkak të situatës së paqartë në Portugali.

“Po presim miratimin e Sportingut. Ndërkohë, fakti që ata po punojnë për një zëvendësim është pozitiv. Dimë që Rennes ka bërë presion dhe ka pasur thirrje edhe nga Premier League, por për momentin, Milani është ende favorit absolut,” u shpreh një burim i afërt me marrëveshjen.

Ndërkohë, merkatoja verore po i afrohet fundit, dhe çdo orë ka rëndësi. Milani mbetet i qetë, por rreziku që ndonjë klub tjetër të ndërhyjë nuk mund të përjashtohet plotësisht. /ORAinfo/

Komento: