Martti Ahtisaari me sëmundje të rëndë, heqë dorë nga gjitha aktivitet politike

18:17 | 02 September 2021

Martti Ahtisaari, është në gjende të rëndë shëndetësore.

Ish-presidenti i Finlandës dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari vuan nga sëmundja e Alzheimerit dhe është tërhequr nga të gjitha aktivitetet publike, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, transmeton Gazeta Express.

Zyra e presidentit finlandez Sauli Niinisto tha të enjten se 84-vjeçari, i cili e udhëhoqi shtetin nordik nga viti 1994 deri në vitin 2000, “po merr mbështetje për jetën e përditshme në shtëpi dhe herë pas here kalon periudha të trajtimit në një institucion të kujdesit për shkak të gjendjes së avancuar të sëmundjes”.

Me profesionin e hershëm të mësuesit në shkollë fillore, e më pas diplomat, Ahtisaari punoi për dekada si ndërmjetës paqeje për qeverinë finlandeze dhe Kombet e Bashkuara dhe fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2008 për punën e tij në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Ndër konfliktet e tjera, Ahtisaari ndihmoi në arritjen e marrëveshjeve të paqes si tërheqjen e Serbisë nga Kosova, përpjekjen e Namibisë për pavarësi dhe autonomi për rrethin special Aceh në Indonezi.
Pasi përfundoi periudha e tij në krye të shtetit finlandez në vitin 2000, Ahtisaari themeloi Iniciativën për Menaxhimin e Krizave me bazë në Helsinki që synonte parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve të dhunshme përmes dialogut dhe ndërmjetësimit joformal. Kjo iniciativë është ajo që njoftoi për sëmundjen e Ahtisaarit.

Ai dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të kësaj organizate joqeveritare në fund të vitit 2017 dhe që atëherë ishte në pension.

Ahtisaari ishte i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës, që kishin për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë në Kosovë, e cila më vonë e shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Komento: