Masat e reja anti-COVID, reagon Rrjeti Shitësve me Pakicë: Kontroll rigoroz po, mbyllje jo

18:00 | 27 August 2021

Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka reaguar pasi thotë se vazhdon të mos jetë i përfshirë në konsultimet dhe vendimet e Qeverisë mbi masat anti-COVID tash e disa muaj.

Në reagimin e Rrjetit të Shitësve me Pakicë thuhet se komunikimi përmes mediave dhe rrjeteve sociale mbetet forma e vetme e shprehjes së qëndrimit të tyre.

“Jemi të vetdijshëm për situatën e rënduar shëndetësore tek qytetarët dhe gjendjen e spitaleve në terren, por që besojmë fuqimisht që mbyllja e cilitdo sektor do ta vështirësojë edhe më shumë shëndetin ekonomik të sektorit privat e që padyshim në afatgjatë pasojat do t’i vërejmë në ekonominë e vendit”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se “duhet kuptuar dhe pranuar që në këtë situatë kemi ardhur si rezultat i dështimit të vetëdijësimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës mbi rëndësinë e vaksinimit, vonesat në sigurimin e vaksinës nga Qeveria e Kosovës, dhe problemet në menaxhimin dhe shpërndarjen e tyre. Fokusi kryesor duhet të jetë në këto pikat e dobëta e jo në mbyllje ad-hoc pa plan dhe në kurriz të sektorit privat”.

“Kontroll rigoroz të masave aktuale po, por mbyllja e cilit do sektor nuk pranohet në asnjë mënyrë. Sidomos mbyllja e gastronomisë në qendrat tregtare është plotësisht i panevojshëm marr për bazë respektimin e masave në këto hapësira”.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë thotë se për çfarëdo mase shtesë duhet të ketë siguri dhe përkrahje të plotë financiare. “E kjo me sa u kuptua nuk po diskutohet fare! Përderisa masat e përfolura po vazhdojnë të bien mbi sektorin privat kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të ofroj bashkëpunim dhe mbështetje financiare për të ruajtur dhe garantuar shëndetin publik dhe ekonomik të vendit tonë”, thuhet në reagim.

Komento: