Masat ndaj Kosovës, BE: Do të hiqen gradualisht dhe me uljen e tensioneve në veri

20:38 | 10 January 2025
masat-ndaj-kosoves,-be:-do-te-hiqen-gradualisht-dhe-me-uljen-e-tensioneve-ne-veri

Bashkimi Evropian ka deklaruar se është duke ndjekur nga afër zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, që lidhen me veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka deklaruar për Telegrafin se statusi i këtyre institucioneve që mbështeten nga Serbia është paraparë të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

“Bashkimi Evropian po ndjek nga afër veprimet më të fundit kundër strukturave të mbështetura nga Serbia në veri të Kosovës, të cilat po ndërmerren para zgjedhjeve të përgjithshme”.

“Statusi i këtyre strukturave të mbështetura nga Serbia është parashikuar të zgjidhet përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Autoritetet e Kosovës nuk duhet të mbyllin asnjë nga institucionet e shëndetësisë dhe arsimit, apo struktura të tjera të mbështetura nga Serbia, që janë pjesë e Marrëveshjeve të Dialogut”, thuhet në deklaratë.

BE thotë se Kosova duhet të përmbahet nga veprime të tilla dhe të respektojë angazhimin e saj ndaj Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Siç është theksuar në përfundimet e Këshillit të vitit 2024 për zgjerimin, BE-ja do të heqë gradualisht masat ndaj Kosovës, paralelisht me hapat e mëtejshëm nga Kosova për të ulur tensionet në veri”.

“Këshilli gjithashtu ka nënvizuar në përfundimet e tij se Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokative që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe të shmangin retorikën përçarëse”, vijon deklarata e BE-së.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën evropiane të të dyja palëve. Të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, ka deklaruar ndër të tjera BE-ja.

Ndryshe, Bashkimi Evropian kishte vendosur disa masa kufizuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri.

“Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”,  kishte deklaruar Stano.

Komento: