MAShT del me njoftim pas konferencës së SBAShK-ut: Të shtunën mbahet mësimi

13:31 | 13 October 2022

Ministria e Arsimit ka njoftuar se bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë punë për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat.

Paraprakisht, SBAShK ka mbajtur një konferencë ku ka bërë me dije se këtë të shtunë nuk do të mbahet mësim, me arsyetimin se ministria e Arsimit është ngutur me vendim dhe ka marrë vendim të njëanshëm.

Njoftimi i plotë i MAShT:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive e ka rishikuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 dhe i ka njoftuar me kohë të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit në lidhje me këto ndryshime.

Bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat.

Gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 përqind e ditëve të vitit shkollor të cilat duhet të zëvëndësohen. Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave.

Muajt në vijim mund të ketë çrregullime potenciale që mund të shkaktohen nga problemet e furnizimit me energji elektrike andaj, çdo diskutim për mosmbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq e tendencioz.

MASHTI kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç e parasheh kalendari i rishikuar.

Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikqyrë zbatimin e kalendarit të vitit shkollor.

Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive për sigurimin e organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit në arsimin parauniversaitar, presim që komunat të sigurohen për realizimin e kalendarit shkollor duke filluar nga kjo e shtunë.

Komento: