Si të kompensohen orët e humbura gjatë grevës, MASHT e SBASHK në një hall të ri.
Ndonëse mësimi ka filluar që më shumë se një javë, prapë ka mospajtime mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut. Mësimi filloi e pagat u ekzekutuan, por Nagavci e Jasharaj tash kanë një hall tjetër – ata ende nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e kompensimit të orëve të humbura gjatë kohës sa mësimdhënësit grevuan. Për këtë çështje, MASHTI ka nxjerrë një vendim që kompensimi të bëhet gjatë të shtunave, ndërsa Jasharaj nesër bashkë me kolegë do të dalin me qëndrim për këtë. Madje, një propozim për këtë çështje u dha nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, i cili nga Nagavci u hodh poshtë e nga Jasharaj u cilësua si “ide e shkëlqyer”.
Ishte e paraparë që mësimi të nisë më 1 shtator, mirëpo për shkak të disa kërkesave të parealizuara nga Qeveria, mësimdhënësit hynë në grevë, e cila vazhdoi deri më 3 tetor.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Minstria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se bëhet fjalë për 22 ditë të humbura mësimi, që nëse kthehet në përqindje, i bie 12 për qind e ditëve të vitit shkollor.
Lidhur më këtë çështje, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 4 tetor ka publikuar vendimin, ku thuhet se orët do të kompensohen gjatë të shtunave, derisa shtoi edhe disa ndryshime tjera të kalendarit për vitin shkollor 2022/2023.
“MASHTI njofton se gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë më datë 27.01.2023. Ndërkaq, pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë më datë 30.01.2023 dhe mbarojë më 03.02.2023. Gjysmëvjetori i dytë fillon me datë 06.02.2023. Në pesë ditë të planifikuara të pushimit pranveror sipas UA-05/2022, do të mbahet procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Përfundimi i gjysmëvjetorit të dytë do të jetë si në vijim: -Për klasën e 12-të (maturantë)përfundon më datë 05.06.2023; -Për klasat 9,10 dhe 11 përfundon me datë 27.06.2023; -Për parafillor dhe klasat 1-8 përfundon më datë 30.06.2023”, thuhet në postimin e Nagavcit, më 4 tetor.
Një propozim për kompensimin e orëve e ka dhënë edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. Sipas këtij propozimi, i bie që të shtohet nga një orë në çdo ditë deri në përfundimin e orëve të humbura.
AKK këtë propozim e bëri, pasi sipas tyre, nëse kompensohen orët të shtunave, atëherë do të shtoheshin shpenzimet për ngrohje dhe mirëmbajtje të saj dhe do të ndikonte në rënie të cilësisë dhe motivit për mësim.
“Vijimi i mësimit pa ndërprerje gjatë pushimeve do të krijonte ngarkesë për fëmijët dhe familjet e tyre, çka në mënyrë të drejtpërdrejt do të ndikonte në rënie të cilësisë dhe motivit për mësim; Do të shtonte shpenzimet për ngrohje dhe mirëmbajtjen e saj, tash kur në këtë kategori shpenzimesh, ato po njohin ritme të larta si kosto, çka dëmton buxhetet komunale. Madje, veprimi në këtë formë, përveç rritjes së kostos financiare për ngrohje, rrit edhe shpenzimin e energjisë elektrike, çka bie ndesh me masat qeveritare për kursimin e energjisë; Dihet se funksionimi i ngrohjeve në shkolla, tash e sa kohë është kryekëput i varur nga furnizimi me energji elektrike, andaj mungesa e energjisë elektrike apo reduktimet me orare të gjata, do të pamundësonin funksionimin e sistemit të ngrohjeve në shkolla, rrjedhimisht do të krijonin pamundësinë e zhvillimit normal e të plotë të procesit mësimor; Pjesëmarrja e nxënësve në proces mësimor, të cilët përdorin transportin publik si formë transporti, do të shtonte kostot e familjeve të këtyre nxënësve kur tani dihet se edhe në këtë sektor janë rritur çmimet si dhe eventualisht fluksi i ditëve të transportit mund të bëj që kontraktorët të mos jenë në gjendje t’i përmbushin obligimet, e që si pasojë do të mund të ndërpritet transporti i nxënësve që është obligim ligjor; Si dhe probleme e sfida të natyrës teknike, organizative të cilat do të vështirësonin e në raste të caktuara të pamundësonin zhvillimin e procesit mësimor, andaj sa më sipër, gjykuar nga kjo situatë”, thuhet në propozimin e AKK-së.
Por, sipas MASHTI-t, kjo metodë “praktikisht dhe teknikisht është e pamundur të realizohet si nga aspekti pedagogjik, ashtu edhe ai logjistik”.
“Sa i përket propozimeve që kompensimi i 22 ditëve të humbura të bëhet duke shtuar nga 5 orë brenda javës për çdo nxënës, ju njoftojmë se praktikisht dhe teknikisht është e pamundur të realizohet një gjë e tillë, si nga aspekti pedagogjik, ashtu edhe ai logjistik. Në këtë mënyrë, do të zgjatej dita e punës në shkolla, gjë që do të shkaktonte çrregullime në shkollat që punojnë në dy ndërrime, si dhe do të shkaktohej një barrë shtesë psikologjike e emocionale për fëmijët”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t për Express.
Mirëpo, për të njëjtin propozim, kreu i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, ka mendim ndryshe.
Ai propozimin e AKK-së e cilëson si “ide të shkëlqyer”, derisa pati disa kritika për të parën e MASHTI-t.
“Ministrja Nagavci më në fund po tregohet që s’është ministre, sepse e refuzon edhe një ide goxha të mirë të Asociacionit të Komunave të Kosovës edhe të DKA-ve. Neve nuk na ka thirrur fare dhe e ka bërë një riorganizim të këtij plani vjetor të punës, gjë që nuk është në kompetencat e saj, dhe madje atë e obligon edhe kontrata kolektive, të cilën ajo është munduar ta mohojë e ta hedhë poshtë, por nuk ka mundur. Ajo nuk e ka mbajtur asnjë takim me ne lidhur me këtë planin e ri të punës për këtë vit shkollor”, ka thënë Jasharaj për Express.
Jasharaj tha se nesër do të mbajnë mbledhje me kryesinë në orën 10:00, ndërsa në orën 11:00 do t’iu drejtohen mediave.
“Pardje, dje e sot kemi zhvilluar komunikim me anëtarësinë tonë, ndërsa kryesia e SBASHK-ut nesër do të mblidhet në orën 10, e më pas në orën 11:00 do të dalim para mediave që ta shpalosim qëndrimin tonë për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës”, tha Jasharaj.
Ndonëse u ankua për mospërfshirje nga SBASHK-u, MASHTI në një përgjigje për Express tha se “pret bashkëpunimin e të gjithë akterëve, përfshirë komunat, institucionet edukativo arsimore, prindërit dhe gjithë palëve tjera në mënyrë që të avancojmë e përmirësojmë rezultatet në arsim”.
MASHTI, gjithashtu, thotë se “presin respektimin e kalendarit të rishikuar për vitin 2022-2023”.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit pret bashkëpunimin e të gjithë akterëve, përfshirë komunat, institucionet edukativo arsimore, prindërit dhe gjithë palëve tjera në mënyrë që të avancojmë e përmirësojmë rezultatet në arsim. Po ashtu, presim respektimin e kalendarit të rishikuar për vitin shkollor 2022-2023”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.