MASHT-i kërkon t’u paguhet 70% e pagës bazë mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore

14:23 | 23 April 2019

Ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi sot mori pjesë në takimin e Komisionit të Granteve, ku u bë shqyrtimi i propozimit të granteve qeveritare për financimin e komunave për vitin 2020.

Në këtë takim, ministri kërkoi buxhetë shtesë për politikat e reja të Ministrisë, shkruan ORAinfo.

Rregullimi i ҫështjes së pensionit invalidor për personelin edukativo arsimor, ҫështja e 100 asistentëve shtesë për fëmijët me nevoja të veçanta e kostoja për pagat jubilare ishin vetëm disa nga kërkesa e Ministrit Bytyqi.

Ai ndër të tjera paraqiti kërkesën për ndarje buxhetore për dhënien e shtatëdhjetë për qind të pagës bazë për mësimdhënësit me gjendje të rëndë shëndetësore.

Dhe fare në fund të takimit ministri kërkoi edhe ndarje të buxhetit për komuna, në funksion të rritjes së përfshirjes së fëmijëve edhe me pesë për qind të grup moshave 6 muaj deri në 5 vjeç dhe për fillimin e pilotimit të mësimit tërëditor në 29 shkolla në nivel vendi./ORAinfo/

Më poshtë mund të lexoni të plotë postimin e tij:

Sot mora pjesë në takimin e Komisionit të Granteve, ku u bë shqyrtimi i propozimit të granteve qeveritare për financimin e komunave për vitin 2020, ku dhe kam paraqitur politikat e reja arsimore, për të cilat edhe kam kërkuar ndarje të buxhetit për realizimin e këtyre politikave.

Duke shprehur shqetësimin sa i përket mungesës së legjislacionit në fuqi, për rregullimin e çështjes së pensionit invalidor për personelin edukativo-arsimor, kam kërkuar ndarje buxhetore për dhënien e shtatëdhjetë për qind të pagës bazë për mësimdhënësit me gjendje të rëndë shëndetësore, numri i të cilëve është mbi 300 dhe lirimin nga mësimdhënia aktive dhe në të njëjtën kohë angazhimin e mësimdhënësve të rinj në vendet përkatëse të punës.

Përveç planifikimit konform legjislacionit, kemi planifikuar edhe një varg politikash të reja, të cilat lidhen direkt me përmirësimin e gjendjes në arsim dhe ngritjen e cilësisë, e që janë kërkesa për 100 asistentë shtesë për fëmijët me nevoja të veçanta, buxhet shtesë për realizimin e praktikës profesionale për nxënësit e arsimit dhe aftësimit profesional dhe shtim buxheti për pagesën e orës së kujdestarisë.

Duke pasur parasysh pagesën e pagave jubilare të cilat realizohen përmes proceseve gjyqësore, sot në Komision kam kërkuar që kostoja për pagat jubilare të përfshihet në gratin specifik të arsimit. Po ashtu, edhe buxhet për pagat për mësimdhënësit e gjuhës së dytë obligative, pagat e zëvendësdrejtorëve për bashkëpunim me ndërmarrje për Shkollat e Mesme Profesionale, si dhe pagat e këshilltarëve të karrierës, me të cilët synohet orientimi dhe përgatitja e nxënësve për orientimin në karrierë janë përfshirë në politikat e reja të Ministrisë së Arsimit.

Në fund të takimit, kam kërkuar ndarje të buxhetit për komuna, në funksion të rritjes së përfshirjes së fëmijëve edhe me pesë për qind të grup moshave 6 muaj deri në 5 vjeç dhe për fillimin e pilotimit të mësimit tërëditor në 29 shkolla në nivel vendi.

Duke pasur në konsideratë të plotë kërkesat dhe nevojat e shumta të komunave, në secilin segment dhe mundësitë buxhetore të shtetit dhe për faktin që arsimi është i të gjithëve, kam kërkuar që në vijimësi të takimeve që kanë të bëjnë me planifikime buxhetore, të gjejnë mbështetje të plotë të gjitha këto politika të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Komento: