MASHTI: Nuk kemi njoftim zyrtar për aktakuzë

16:26 | 29 Janar 2026
mashti:-nuk-kemi-njoftim-zyrtar-per-aktakuze

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë se mirëpret dhe respekton punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë, por deri më tash nuk ka pranuar asnjë njoftim apo vendim zyrtar nga institucionet kompetente në lidhje me çështjen e raportuar në media më 31 dhjetor 2025 për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 12 zyrtarëve të kësaj ministrie.

“MASHTI mirëpret dhe respekton punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe do të jetë e hapur dhe transparente në raport me çdo zhvillim zyrtar. Njëkohësisht, Ministria thekson respektimin e parimit të pafajësisë, ashtu siç garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Gjithashtu, MASHTI vlerëson rolin e mediave në informimin e publikut dhe inkurajon që raportimi të jetë i saktë, i bazuar në fakte dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë, në mënyrë që të shmangen interpretimet e pasakta apo përgjithësuese, të cilat mund të çojnë në keqinformim të opinionit publik, të dëmtojnë procesin gjyqësor dhe të cenojnë integritetin institucional.

“Po ashtu, MAShTI kërkon që gjatë raportimit të respektohet e drejta ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave të ndjeshme, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi.

Ministria mbetet e përkushtuar ndaj transparencës institucionale dhe llogaridhënies, në funksion të informimit të drejtë dhe korrekt të publikut”, thuhet tutje në komunikatë.

Më 31 dhjetor u raportua se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për korrupsion, përfshirë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve“. Dyshohet se ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë mbi 7 milionë euro.

Komento: