Dy persona janë arrestuar nga Njësiti i Hetimeve në Prishtinë pasi dyshohen për kryerje të veprës penale “Mashtrim”.
Policia ka njoftuar se dy të arrestuarit dyshohet se ia kanë marrë një personi deri 500 mijë euro për investim në kriptovaluta, duke e mashtruar se do të përfitojë më shumë.
Bëhet fjalë për F.C., mashkull 33 vjeç si dhe L. Rr., femër 21 vjeç, të dy shtetas të rregullt të Republikës së Kosovës.
Pasi mashtrimi ka ndodhur për një periudhë të gjatë kohore, dyshohet se këta të dy kanë mashtruar edhe persona tjerë në të njëjtën mënyrë.
Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Njoftimi i plotë:
Hetuesit nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, sot kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale të Mashtrimit, të raportuar më datë 17.08.2022.
Puna rreth dy mujore e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin e personave të dyshuar dhe arrestimin e tyre.
Personat e dyshuar:
– F.C, mashkull 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe ,
– L. Rr, femër 21 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës,
me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se të njejtit dyshohet të kenë marrë nga ankuesi shuma të ndryshme parashë për investim në kripto valuta (vlera e përafërt arrinë deri në 500,000 euro) duke i premtuar përfitime të mëdha.
Për më shumë dyshohet që mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar.
Andaj, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, ashtu që me informacionet e tyre të kontribuojnë në hetimin që po kryen policia.