Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi është treguar i paguximshëm karshi një zotimi të tij publik.
Ai ishte zotuar publikisht se do të ulë pagat në këtë ndërmarrje publike si reflektim të krizës financiare.
Madje, ai kishte thënë se kanë hasur në mirëkuptimin e punëtorëve për një gjë të tillë, gjë që është mohuar nga përfaqësuesit e këtyre të fundit.
“…kam kërkuar nga stafi që të sakrifikojmë pagat tona që të mos bien shërbimet. Kam gjetur mirëkuptim të mirë dhe kemi ardhur në situatë që pagat tona t’i sakrifikojmë”, kishte deklaruar Istrefi në një intervistë në një televizion vedor.
Por, ky si duket do të mbetët vetëm një zotim i pa realizuar.
Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës në mbledhjen e djeshme ka marrë vendim për ta rrëzuar vendimin që kishte marrë në mbledhjen e 3 janarit për zvogëlimin e pagave.
Bordi i Telekomit të Kosovës më 3 janar kishte nxjerrë një vendim të ri i cili parashihte zvogëlimin e pagave për punonjësit e kësaj ndërmarrjeje publike.
Sipas vendimit, punëtorëve do t’u zbriteshin pagat për 10 për qind, ndërsa pozitave të larta 20 për qind.
Ky vendim ishte paralajmëruar të hyn në fuqi nga data 1 janar 2020.
Por, bordi dhe menaxhmenti i telekomit janë dorëzuar shpejtë karshi këtij vendimi.
Bordi i Drejtorëve në mbledhjen të cilën e ka mbajtur dje ka marrë vendim të shfuqizojë vendimin për uljen e pagave, shkruan ORAinfo.
Krejt kjo si rezultat i presinionit të Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, ani pse Istrefi kishte deklaruar publikisht se ka gjetur mirëkuptim tek punëtorët e ndërmarrjes për uljen e pagave.
Kreu i Sindikatës Profesioniste të Telekomit të Kosovës, Muhamet Xhemajli ka thënë se ata kishin kundërshtuar uljen e pagave pasi që sipas tij, kjo ishte jo ligjshme.
“Në emër të Kryesisë së Sindikatës Profesionale të Punëtoreve përshëndes vendimin e Bordit për mos implementim të uljes së pagave edhe pse vendimi për zbritje sipas nesh ishte jo i drejte dhe jo legjitim sidomos ne fazën kur Telekomi ka filluar që të ngritë te hyrat”, ka thënë Xhemajli për ORAinfo.
Ai më tutje i ka bërë thirrje Bordit që të mos të merr vendime të ngutshme në të ardhmen në lidhje me pagat.
“I bëj thirrje bordit të drejtoreve që të mos marrin vendime të ngutshme dhe demotivuese për punetoret pasi që ka pasur mjaft elemente demitivuese në të kaluarën, le të bëhen të njëjtit shembull i ngritjes së motivit tek punëtorët”, ka thënë Xhemajli.
Ndryshe, Bordi Drejtues i Telekomit, i ka kërkuar hiç me pak se 5 milionë euro nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj për ta shpëtuar këtë ndërmarrje nga falimentimi.
Në letër thuhet se këto para duhen si masë emergjente e detyrueshme për të siguruar funksionimin normal.
Në të kundërtën, ndërmarrja e udhëhequr nga drejtori menaxhues, Bedri Istrefi, rrezikon 100 për qind të kolapsoi teknikisht. /ORAinfo/