Dialogu me Serbinë, Mathew Palmer sot takon krerët institucionalë e opozitarë në Kosovë.
Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer po qëndron edhe sot në Kosovë, me detyrë konkrete. Ai, pas takimeve që pati para disa ditëve në Serbi me krerët më të lartë të shtetit, sot do të ketë takime në Kosovë me krerët institucionalë e politikë.
Burime të sigurta të Reporterit bëjnë me dije se Palmer do t’i takojë bashkërisht të gjithë liderët. Takimi do të zhvillohet në Ambasadën Amerikane në Prishtinë në mesditë.
“Temë kryesore pritet të jetë dialogu dhe kërkesa që ai ta fillojë sa më shpejt. Sikur që e ka bërë me dije edhe më herët”, kanë thënë burime të Reporterit.
Qëndrimet e hekurta të Kosovës dhe Serbisë, kushtet e vendosura për dialog nga të dyja palët kanë bllokuar procesin. Madje është vënë në pikëpyetje edhe Samiti i Parisit i paraparë më 1 korrik 2019.
Palmer foli dje edhe në ceremoninë festive të 20 vjetorit të lirisë dhe edhe aty tha se liderët kosovarë duhet të punojnë shpejt për një marrëveshje me Serbinë.
Sipas tij, Amerika më nuk mund të vendosë për Kosovën, por janë vetë institucionet ato që duhet të tregojnë përkushtim për të ecur përpara.