Matoshi tregon se a do të ndërtohet hidorcentrali në Lumbardh

23:59 | 25 Shkurt 2019

Fatmir Matoshi ka thënë së nuk beson që do të ndërtohen hidrocentralet në Lumbardh.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se ligjet në fuqi nuk lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardh të Pejës.

Ai ka thënë se ligjet nuk lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve në zona të mbrojtura.

“Qytetarët s’duhet të shqetësohen sepse po supozojmë se po tentohet të ndërtohet një hidrocentral brenda parkut të Bjeshkëve të Nemuna. Ligji e ndalon këtë në zonat e mbrojtura”, ka thënë Matoshi në KTV.

“S’besoj që do të ndërtohen. Ose duhet të ndryshohen ligjet, sepse në parqe nacionale s’lejohen. Banorët s’kanë arsye të shqetësohen. Mendoj që protesta e tyre, sado që është e drejtë, është e parakohshme, sepse në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë, s’mund të jepet leje për ndërtim hidrocentrali në atë pjesë, apo leje mjedisore. S’na lejon ligji. Neve s’na është thënë se prej ku deri ku do të ndërtohet. Por në bazë të asaj që më ka thënë kryetari i Pejës dhe qytetarët, nëse ky investim bie brenda territorit të parkut nacional s’mund të pajisjet me leje”, ka deklaruar ai.

Matoshi ka thënë se deri tash MMPH-ja s’ka marrë asnjë kërkesë të veçantë për ndërtimin e ndonjë hidrocentrali në Lumbardh në Pejë.

Ka thënë se gjithçka që ka ndodhur në këtë proces është se pak minuta para mbledhjes së fundit të Këshillit për Investime Strategjike, ministri i Tregtisë, Endrit Shala, ka njoftuar për ndryshim të ditës duke shtuar shqyrtimin e aplikacionit të një investitori strategjik, për ndërtimin e hidrocentralit në Lumbardh.

Matoshi ka shpjeguar se për ndërtimin e një hidrocentrali duhet të merren disa leje.

“E para është që ky investitor kërkon të marrë statusin e investitorit strategjik. Ka dorëzuar në KIESA, kërkesën e tij, dhe KIESA ka detyrë ta njoftojë Komitetin ndërministror. Themelohet një grup operacional. E kemi propozuar secili anëtarin e grupit. Grupi shqyrton dokumentacionin e investitorit potencial dhe ia rekomandon Këshillit për Investime Strategjike nëse duhet ta pranojmë apo jo si investitori strategjik dhe në fund qeveria ia jep statusin. Njëjtë ndodhi ditë më parë me një kompani për një projekt të energjisë me erë që do të zhvillohet në Mitrovicë e për të cilin si ministri nuk kemi dalë me rreh tupan se po e bëjmë këtë investim 200 milionësh siç ndodhi që kanë bë të tjerët. Në rastin konkret, te Këshilli për Investime Strategjike vetëm kam pranuar rendin e ditës me pesë pika, e pastaj është shtuar edhe pika tjetër. Hidrocentralet janë të ndjeshme dhe se qytetarët s’kanë përvoja të mira nga e kaluara. Na është thënë në takim se komuna e Pejës do ta delegojë anëtarin e vet brenda Këshillit. Na thanë që komuna ka dërguar emrin përmes telefonit, e do ta dërgojë edhe me shkrim. Akoma s’ka ndodh. Kam mbërri me e pa në arkivat e shtypit që një marrëveshje është nënshkruar nga ish-kryetari Ali Berisha dhe ‘Kelkos Peja Energy’ për hidrocentralet në rajonin e Pejës në vitin 2013. Por edhe një marrëveshje e tillë edhe nëse ekziston, investitori duhet të pajiset me leje ndërtimore e mjedisore për atë zonë. Në kushtet aktuale nuk është e mundur kjo”, ka shtuar Matoshi.

“Dëmet që janë shkaktuar në Deçan, ndoshta i kanë bë edhe qytetarët e Pejës që të reagojnë aq shpejt e ende pa u bë kërkesa zyrtare e pa filluar të shqyrtohet dokumentacioni i aplikuesit. Por gjithsesi, e përsëris, përderisa kemi këto ligjet nuk jemi të interesuar në asnjë mënyrë, variant, çmim të bëjmë këtë”, ka përfunduar Matoshi.

Matoshi po ashtu ka folur për qëndrimin e tij për taksën ndaj mallrave serbe. Ka thënë se për të mos dëmtuar raportet me SHBA-në, do të votonte pro pezullimit të saj.

Komento: