Matthew Palmer merr rol të ri në Ballkan

23:14 | 30 August 2019

Matthew Palmer është emëruar përfaqësues i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e ka emëruar zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, përfaqësues të posaçëm për Ballkanin, thuhet në kumtesën e Departamentit të Shtetit.

Palmeri do të marrë pjesë në Forumin strategjik të Bledit në rolin e ri që më 1 shtator, kurse më vonë do ta përfaqësojë SHBA-në në takimet e Quintit në Bruksel e Podgoricë.

“Palmeri do t’i udhëheqë synimet tona për t’i forcuar përpjekjet diplomatike të SHBA-së në përkrahje të paqes, stabilitetit dhe përparimit në rajon dhe në përqendrimin tek integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore”, thuhet në kumtesën e DASH-it.

Pos detyrës së re, Palmer do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e Zëvendës-ndihmësit të Sekretarit të Shtetit në Byronë e Çështjeve evropiane dhe euroaziatike, pozitë që e mban që nga 2018-a.

Më parë ka qenë Drejtor i Zyrës për Evropën jugore dhe të mesme.

Komento: