“Maxhuni u emërua shef i AKI-së në vend që të shkarkohej”

12:46 | 24 Dhjetor 2018

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka bërë disa deklarata të ‘fuqishme’ sot në një konferencë për media.

Ndër të tjera ka përmendur dështimet në institucionet e sigurisë duke përmendur deportimin e gjashtë shtetasve turq, skandalet në AKI e ndryshimin e ministrave në MPB.

Selimi ka filluar duke përmendur deportimin e gjashtë shtetasve turq ditën e 29 marsit.

“Ngjarja kryesore që është skandal është ajo me deportimin e gjashtë shtetasve turq, në mënyrë jo të ligjshme dhe jo kushtetuese dhe jo profesionale”, është deklaruar deputeti i VV’së, duke shtuar se grupi hetimor paralamentar është në fazë përfundimtare të hartimit të raportit.

“Kur flasim për Ministrinë e Punëve të Brendshme që ka ndodhur ndryshimi aq i shpeshtë i ministrave . Ka ministra që kanë ardh e kanë shkuar e opinion as nuk ka arritë të jua mësojë emrat. Po presim rezultat nga ministri i ri, nëse ju referohemi të kaluarës rezultatet mund të jenë të zbehta”, ka shtuar ai.

Sa i përket institucioneve të sigurisë, Selimi ka përmendur edhe AKI’në.

“Edhe në AKI kanë ndodhur zhvillime që e kanë lënduar këtë institucion, opinioni tashmë e di që në krye ka ardh një person që paraprakisht do të duhej të shkarkohej nga skandalet që i ka pasur. Në vend që të shkarkohej nga policia ai është emëruar shef i AKI’së”, ka thënë ai duke folur për shefin e AKI’së, Shpend Maxhunin.

Edhe Inspektoratit të policisë sipas tij duhet t’i numërohen skandalet.

Ndërkaq, sa i përket policisë ai ka thënë se ka dështuar të ofrojë siguri, sidomos në mbrojtje të viktimave të dhunës në familje.

“Ky institucion ka dështuar të ofrojë siguri më të madhe në trafik. Gjithsesi ky institucion ka dështuar të kryejë punën e vet edhe me deportimin e gjashtë shtetasve turq”, ka shtuar ai.

“Qeveria ka dështuar të ofrojë dy ligje të rëndësishme për fushën e sigurisë. Ka mbetur në draft ligji për pensionimin e parakohshëm për policinë . Po ashtu edhe ligjin për shpëtim dhe zjarr fikje që ofron siguri në komunitet por edhe që do të merret drejtpërdrejtë me zjarrfikësit që janë në gjendje shumë të rendë. Ata kanë pasur edhe protesta, thirrje e peticione”, shton Selimi.

Në fund ai ka përmendur edhe ligjet për FSK’në.

Komento: