Mbahet mbledhja komemorative në nderim të Shqipe Bajçinca-Brestovcit, ngrihet lart vepra e saj

12:03 | 03 Prill 2024
mbahet-mbledhja-komemorative-ne-nderim-te-shqipe-bajcinca-brestovcit,-ngrihet-lart-vepra-e-saj

Të mërkurën u mbajt mbledhja komemorative në nderim të profesoreshës së Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Shqipe Bajçinca-Brestovci, e cila u nda nga jeta të dielën, pas një sëmundje të rëndë.

Në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të UP “Hasan Prishtina”, tek Instituti “Ali Hadri”, familjarët e kolegët ia dhanë lamtumirën e fundit ish-sportistes.

Në emër të familjes foli djali i saj, Gjergj Brestovci.

“Kam me mbajt shumë shkurt këtë fjalim se nuk kam ardhë i përgatitur. Ka qenë nëna më e mirë, nuk e kisha kërku ndryshe. Më ka edukuar më së miri edhe pse u nda shpejt prej jetës, e ka jetu jetën më të plotë të mundshme” – tha ai.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi me një fjalë rasti e përkujtoi karrierën e Bajçinca – Brestovci.

“Ishte lajm i trishtë, lajm i zi për vdekjen e ish-profesoreshës dhe mikës sonë, Shqipe Bajçinca–Brestovci. Shqipja dallohej me karakterin e saj të fortë dhe shpirtin e saj sfidues, ajo nuk u dorëzua për 4 vite por vdekja e tradhtoi fizikisht. Ajo na ka lënë fizikisht, por është me ne” – tha ai.

Derisa, Ministri Hajrulla Çeku ngriti në piedestal veprimtarinë e ish-profesoreshës Bajçinca-Brestovci.

“Gjurmët e veprimtaria e saj do të mbesin gjithmonë të pashlyera dhe do të shërbejnë si frymëzim dhe motiv për gjeneratat e reja që do të ndjekin rrugës së saj. I qoftë dheu i lehtë i Kosovës dhe i përhershëm kujtimi për profesoreshën” – tha Çeku.

Bajçinca-Brestovci ishte kryetare komisionit “Femra dhe Sporti”. Ajo ishte edhe pedagoge në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, ndërsa gjatë karrierës 24-vjeçare si sportiste ishte marrë edhe me karate, atletikë dhe hendboll.

Komento: