Mbahet pjesa e parë e Testit të Maturës

15:56 | 30 August 2019

Sot është mbajtur pjesa e parë e Testit të Maturës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, me rastin e mbajtjes së pjesës së parë të Provimit të Maturës (afati i shtatorit), vizitoi sot Shkollën e Mesme Profesionale në Shtime, për të parë rrjedhën e procesit të testimit të maturantëve në këtë shkollë.

Ministri Bytyqi me këtë rast ka vlerësuar se, tashmë është krijuar një traditë e mirë e organizmit të testeve dhe se është arritur që të ngritet vetëdija e nxënësve sa i përket përgjegjësisë në test.

Ministri Bytyqi tha se, matrurantët e kanë kuptuar se ata duhet të jenë të koncentruar në testimin e njohurive të tyre në lidhje me pyetjet të cilat janë përfshirë në test.

“Ajo çka pamë brenda në shkollë është një sukses për t’u admiruar. Pra, vazhdimisht kemi tentuar që në Testin e Maturës të krijojmë një vetëdije, në mënyrë që nxënësit të përqendrohen në dije dhe jo në metodat e kopjimit”, është shprehur ministri Bytyqi.

Ndryshe, pjesa e dytë e afatit të shtatorit do të mbahet më 7 shtator 2019, ndërsa në këtë fazë, testimit i janë nënshtruar mbi 10 mijë maturantë.

Komento: