Mbahet takimi i KS të OKB-së, Osmani përfaqëson Kosovën

07:52 | 23 Tetor 2023
mbahet-takimi-i-ks-te-okb-se,-osmani-perfaqeson-kosoven

Sot mbahet takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë.

Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, presidentja Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator, njofton Presidenca.

Ndër të tjera, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.

Para takimit të Këshillit të Sigurimit, presidentja pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate.

Ndryshe, të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor për situatën në Kosovë. Raporti përfshinë periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023.

Që nga miratimi i Rezolutës 1244 në qershor 1999, Këshilli i Sigurimit ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018. Në vitin 2019 për Kosovën janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa nga viti 2020, mbahen dy seanca në vit.

Serbia në seancë do të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Brnabiq.

Takimi do të mbahet më 23 tetor në ora 21:00 me kohë të Kosovës, ndërkaq në orën 15:00 me kohë të Nju Jorku-ut.

Par fillimi të kësaj seanca, shqiptaro-amerikanët protestojnë kundër terrorizmit të Serbisë

“Komuniteti Shqiptaro-Amerikan do të protestojë para Selisë së OKB-së në Sheshin Dag Hammarskjöld në Nju Jork për t’i dënuar aktet e vazhdueshme të terrorizmit dhe luftënxitëse të Serbisë. Shqiptaro-Amerikanët i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar që të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për ta detyruar Serbinë që t’i ndalojë dhe të përmbahet nga veprimet dhe politikat që janë duke e minuar stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit”, njofton komuniteti Shqiptaro-Amerikan, i përbërë nga më shumë se njëqind shoqatave të ndryshme të këtij komuniteti nga vende të ndryshme të SHBA-së.

Komento: