Mbërrin Delegacioni i Kosovës në Bosnjë, diskutohet për taksën

11:07 | 24 Janar 2019

Delegacioni i Qeverisë së Kosovës, është në Bosnjë e Hercegovinë ku do të marrë pjesë në takimin e parë zyrtar bilateral të CEFTA-s, dhe do të ketë diskutime me zyrtarët e Qeverisë së Bosnjës për taksën që ka vendosur Kosova për produktet boshnjake.

Kosovën në Bonjë e Hercegovinë janë duke e përfaqësuar, Durim Limaj, Shefi i Kabinetit i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala si dhe Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Durim Limaj e ka konfirmuar për Telegrafin arritjen e delegacionit të Kosovës në Bosnjë e Hercegovinë. “Kemi arritur në Bosnjë e Hercegovinë, jemi dy vetë që e përfaqësojmë Kosovën në këtë takim. Ardhja e jonë në Bonjë është bërë nëpërmjet Malit të Zi, probleme nuk kemi pasur dhe jemi në përcjellje të vazhdueshme nga Policia, takimi fillon nga ora 10:00”, tha Limaj.

Në agjendë është paraparë të diskutohet edhe për vendimin rreth vendosjes së tarifës dhe ndalimeve të importeve që Kosova ka vendosur për produktet që vijnë nga Bosnja e Hercegovina, shkruan Telegrafi.

Diskutimet sipas agjendës se takimeve të CEFTA-s në Bosnjë e Hercegovinë do të zgjasin deri në ora 17:00.

Ndryshe ky takim është kërkuar nga zyrtarët e Qeverisë së Bosnjës, për konsultime me Kosovën lidhur me taksën prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave që importohen nga Bosnja dhe Hercegovina më 21 nëntor të vitit 2018.

Komento: