Taksa e lë pa para Fondin për zhvillimin e veriut.
Taksa e vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka varfëruar Fondin e Mirëbesimit, i cili është krijuar për zhvillimin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, thonë përfaqësues të shoqërisë civile në pjesën veriore të Kosovës.
Fondi i Mirëbesimit është themeluar mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për doganat, ku Prishtina dhe Beogradi me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ishin dakorduar për themelimin e tij në funksion të zhvillimit të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Sipas kësaj marrëveshjeje, paratë e mbledhura përmes mallrave që importohen në pikat kufitare në veri, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjak, të destinohen në Fondin për zhvillimin e katër komunave veriore: Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Deri në fund të vitit 2018, vlera e këtij Fondi ka arritur në mbi 15. 5 milionë euro, kurse 11 milionë euro janë shpenzuar në 30 projekte të ndryshme, disa nga të cilat janë në fazën e zbatimit, thuhet në faqen zyrtare të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Fondi, sipas BE-së, favorizon investimet në projektet publike, të cilat mund të kenë ndikim në zhvillimet socio-ekonomike në komunat në veri.
Veçanërisht, projektet që propozohen duhet të kenë për qëllim përmirësimin e jetës së banorëve lokalë. Këto projekte duhet të jenë financiarisht të zbatueshme, me kosto efektive, substanciale dhe të jenë në mbrojtje të mjedisit.
Destinimi i Fondit ndërlidhet me projektet për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës publike, përfshirë rrugët, spitalet, furnizimin me ujë, trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave. Po ashtu, Fondi mbështetë edhe projektet për bizneset, gratë, shoqërinë civile, promovimin e të drejtave të njeriut, arsimin, qasje në kujdesin shëndetësor dhe transportin.
Por, që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën doganore 100 për qind ndaj të gjitha importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, importet nga Serbia kanë rënë në minimum.