Mbi 1 mijë kosovarë kërkuan trajtim jashtë vendit brenda vitit të kaluar

21:08 | 02 Janar 2023

Klinikat e shumta të cilat janë në kuadër të spitaleve të Kosovës, nuk mjaftojnë për numrin e madh të qytetarëve të cilët kërkojnë mjekim.

Shumë prej qytetarëve të cilët çdo ditë ballafaqohen me nevojën për mjekim, duhet që zgjidhjen për këtë ta kërkojnë jashtë vendit.

Në të shumtën e rasteve kur iu duhet mjekimi jashtë vendit, qytetarët detyrohen edhe që atë ta financojnë vetë, anipse në disa raste në ndihmë iu dalin shërbimet e institucioneve shëndetësore.

Lidhur me mjekimin e qytetarëve të Kosovës dhe kërkesat e tyre brenda vitit 2022, lajmi.net ka kontaktuar me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Nga ky Fond kanë njoftuar se numri i pacientëve të cilët kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtimin e tyre jashtë institucioneve shëndetësore për periudhën janar-nëntor 2022 është 1 mijë e 14 persona.

“Numri i pacienteve të cilat kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtimin tyre jashtë institucioneve shëndetësore për periudhën Janar- Nëntor 2022, është: 1014”, thuhet në përgjigje.

Sipas të njëjtëve, përfitues nga programi për Trajtim Mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, brenda periudhës 11 mujore, janar-nëntor janë 719.

Në kuadër të kësaj mundësie që qytetarët të mjekohen jashtë Kosovës, për atë që s’mund të gjejnë mjekim në Kosovë janë disa vende ku të njëjtit janë drejtuar më shpesh.

Sipas Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, shtetet në të cilat pacientët kanë zgjedhur të marrin trajtimin e tyre mjekësor përpos Kosovës janë edhe Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

Po ashtu këtu hyjnë edhe vende të ndryshme të Evropës.

“Shtetet në të cilat pacientet kanë zgjedhur të marrin trajtimin e tyre mjekësor janë: Turqia; Kosova; Maqedonia; Shqipëria, si dhe vende tjera evropianë”,thuhet në përgjigjen e FSSH.

Në të shumtën e rasteve pacientët të cilët kërkojnë trajtim jashtë Kosovës janë ata që përballen me sëmundje më të rënda, e që në Kosovë në vetëm pak raste mund të trajtohen siç duhet.

Shpesh herë mungesa e aparaturave, barnave të nevojshme e gjërave të tjera ua ka pamundësuar atyre trajtimin dinjitoz.

Sipas Fondit të Sigurimeve Shëndetësorë të Kosovës, klinikat të cilat referojnë më së shumti pacientë për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Radiologjia, Pediatria për llojet e sëmundjeve (Malinje, Leukemia dhe tumore të ndryshme),po ashtu edhe rastet e Kardiokirurgjisë, Klinika e Ortopedisë, Hematologjia, Oftalmologji e të tjera.

Qytetarët e Kosovës prej shumë vitesh ende vazhdojnë të përballen me një sistem shëndetësor tejet të vështirë.

Përpos mungesës së furnizimeve elementare me barëra, mungesës së sigurimeve shëndetësore, kushteve jo adekuate për pacientët e shtrirë në klinika, qytetarët kanë edhe raste të shumta kur anashkalohen krejtësisht nga doktorët, infermierët e sistemi i gjerë shëndetësore.

E të gjitha këto probleme vazhdojnë të ndodhin në një ministri ku e cila mbeti pa ministër me muaj të tërë. Në kuadro të ministrisë së Shëndetësisë u emëruan ministra të shumta, por si për çudi asnjëri nuk arriti të përfundojë mandatin.

Pas largimit të Arben Vitisë nga Lëvizja Vetëvendosje, aty u emërua Rifat Latifi, doktori i cili u kthye nga Amerika për të shërbyer në Kosovë, e shpejtë u largua nga kjo pozitë.

Latifi njoftoi për dorëheqjen e tij, duke e lënë kështu shëndetësinë edhe më në “bllok” se që e kishte gjetur.

E para pak ditësh në këtë ministri u rikthye sërish Arben Vitia.

Komento: