Shkon në mbi 1,000 numri i punëtorëve të infektuar me Covid-19 në një thertore në Gjermani.
Më shumë se 1,000 punëtorë të një fabrike për përpunimin e mishit në Gjermani kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, duke i shtyrë autoritetet shëndetësore lokale që t’i urdhërojnë të gjithë 6,500 punëtorët dhe familjet e tyre që të futen në karantinë.
Vatra e re e përhapjes së virusit të ri në ekonominë më të fuqishme evropiane është një hap prapa për strategjinë e rihapjes së ekonomisë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka favorizuar mbajtjen e disiplinës së izolimit për një kohë më të gjatë, por i lehtësoi masat kufizuese pas presionit nga kryeministrat rajonalë, shkruan “Reuters”, transmeton Express.
Ndonëse Gjermania është në mesin e vendeve që e ka menaxhuar në mënyrë të suksesshme pandeminë, vendi është përballur me përhapje të vazhdueshme të virusit nëpër thertore, ku punëtorët janë shpesh imigrantë që jetojnë në hapësira të mbingarkuara, të cilat ofrohen nga kompanitë.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, pronari i thertores “Tönnies”, Clemens Tönnies, tha se kjo përhapje paraqet krizë ekzistenciale për kompaninë e tij, e cila e ka pezulluar punën pasi autoritetet po kërkojnë që ta hetojnë rastin.
“Si kompani kemi menduar se kemi bërë gjithçka si duhet”, tha ai, duke shtuar se firma e tij është përpjekur t’i mbledhë të dhënat personale të punëtorëve dhe kontraktorëve në mënyrë që autoritetet të mund ta përcjellin përhapjen e virusit.
Ky rast mund ta detyrojë tërë rajonin Nordrhein-Westfalen që të vendosë masa më të gjera të izolimit. Rasti fillimisht ishte raportuar të mërkurën, kur 400 punëtorë kishin dalë pozitivë në test. Të premten, ky numër shkoi në 803, ndërsa të shtunën në 1,029.