Të mërkurën është publikuar Raporti i Progresit për Kosovën, i cili shfaq përparimet dhe ngecjet që Kosova ka pasur vitin e fundit për të gjitha fushat.
Me theks të veçantë, në raport flitet edhe për planifikimin dhe procedurat e prokurimit.
Sipas Raportit të Progresit, Kosova duhet ta përmirësoj planifikimin e saj dhe të reduktoj përdorimin e procedurave të negociuara të prokurimit.
‘’Kosova duhet të përmirësojë planifikimin e saj dhe të reduktojë përdorimin e procedurave të negociuara të prokurimit. Për të reduktuar rreziqet e keqpërdorimit dhe mashtrimit, është e rëndësishme të sigurohet transparencë e plotë, arsyetim të fortë që shpjegon vendimin për dhënien e çmimit dhe të mbajë gjurmët e auditimit.’’ thuhet në një pjesë të Raportit të Progresit.
Raporti po ashtu thekson se procedurat e negociuara pa publikim të kontratës, ishin 13.5%.
‘’Në vitin 2023, procedurat e negociuara pa publikim të njoftimit të kontratës ishin 13.5%, një shumicë e tyre të lidhura nga Korportata Energjetike e Kosovës’’ thotë raporti.
E këtë deklarim të Raportit të Progresit, e shohin si të pritur nga opozita në vend.
Deputeti i VV-së: Ka pasur dhe ka kontrata të negociuara, kjo edhe në të kaluarën ka ndodhur
Deputeti i VV-së, njëherit anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Halil Thaçi, për FrontOnline ka folur pas publikimit të Rraportit të Progresit, me theks të veçantë për vërejtjet dhe sugjerimet e këtij raporti mbi fushën e procedurave të prokurimit.
Thaçi potencon se Kosova me vite të tëra ka pasur kontrata të negociuara dhe si të tilla edhe tashmë ka.
”Me vite të tëra Kosova vazhdimisht ka pasur kontrata të negociuara dhe ka kontrata të negociuara. Ne kemi pasur një grafikon që edhe qeverisjet e kaluara se si kanë proceduar me kontratat e negociuara’’ thotë ai.
Thaçi thotë se kanë pasur problem me tenderët një burimor kur ishte bllokuar Bordi i OSHP-së.
‘’Ne kemi pasur një problem, tenderët një burimor ku u pat bllokuar Bordi i OSHP-së e që sigurisht që edhe ndërmarrjet edhe ministritë e ndryshme do të thotë kanë pasur nevoja të menjëhershme për të procedura, për të vazhduar me projekte’’ potencon ai.
Deputeti i VV-së, shton se kjo nuk është vetëm dukuri e institucioneve, por sepse sipas tij kjo ndodh edhe në nivelet lokale.
‘’E konsideroj se këtë vit ka pasur kontrata të negociuara dhe janë disa kontrata që ndryshe nuk zgjidhen vetëm si të negociuara dhe të cilat nuk mundesh me i bërë as përmes tenderit publik. Kjo nuk është dukuri vetëm në institucionet qeveritare, por edhe në nivelin lokal’’ tha ai.
Abazi: Raporti i Progresit për procedurat e prokurimit na kujtoj praktikat e këqija, Qeveria po i përdorë tenderët një burimor për vota
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, për FrontOnline thotë se Raporti i Progresit ku flet për procedurat e prokurimit publik, ia ka kujtuar praktikat e këqija të këtij prokurimi.
‘’Raporti i Progresit na ka kujtuar praktikat shumë të këqija të prokurimit por edhe të praktikave tjera, sidomos të mos transparencës plotë dhe llogaridhënies të kësaj Qeverie’’ thotë ai.
Abazi, potencon se Qeveria aktuale e ka strategji mënyrën se si janë dhënë tenderët një burimor dhe kjo ka një tendencë në vete.
‘’Por ajo që duhet them, se kjo ka strategji, se mënyra se si janë dhënë tenderët një burimor kanë tentim për ta shkatërruar sektorin privat e për të krijuar vasal në sektor për Qeverinë e tanishme e cila do ta përdorte si makinë votuese në vitet në vazhdim’’ thotë ai.
Deputeti i pavarur, thekson se dhënia e këtyre tenderëve në këtë formë, ka një strategji dhe arsye nga Qeveria.
‘’Nuk është kjo se është bërë pa arsye, pa strategji. Gjitha tenderët një burimor, janë tentim për të ndërtuar makinën votuese të VV-së në të ardhmen, që është praktikë që është përdorur edhe në të tjerat, por veçmas në ato që quhen vende autokratike’’ u shpreh deputeti Abazi për FrontOnline.
Demhasaj: Planifikimi i prokurimit ishte shumë i dobët, Raporti i Progresit i tha ato që ne i kemi thënë në vazhdimësi
Analisti politik, Arton Demahasaj, për FrontOnline, ka folur mbi Raportin e Progresit që është publikuar për Kosovën.
Demhasaj, specifikisht për sugjerimet dhe vërejtjet e Raportit të Progresit mbi procedurat e prokurimit, thotë se shoqëria civile në vazhdimësi i ka ngritur shqetësimet e tyre mbi kontratat në prokurimin publik të cilat Qeveria i ka negociuar.
“Në fushën e prokurimit ka identifikuar shumë shkelje vazhdimisht shoqëria civile i ka ngritur shqetësimet që një pjesë të madhe kontratat në prokurim publik qeveria po i negocion. Kjo është sinjal potencial për korrupsion këtë e konfirmoi edhe Raporti’’ thotë ai.
Demhasaj, e thekson si evidente dhe kërkesë që procedurat duhet të thjeshtëoshen në mënyrë që ato të mos mbesin në vetëm në burokraci.
‘’Është evidente dhe kërkesë që procedurat duhet me u thjeshtësuar që mos me mbet veç në burokraci e që më ardh deri tek keqpërdorimet e mundshme’’ shprehet ai.
Ai, potencon se planifikimi i prokurimit ka qenë shumë i dobët dhe më të meta të mëdha.
‘’Planifikimi i prokurimit ka qenë shumë i dobët dhe ka të meta të mëdha në këtë fushë qeveria duhet ti merr rekomandimet dhe me i zbatuar sa më shpejt që raportit të jetë më pozitiv ‘’ tha Demhasaj për FrontOnline.
Sipas Raportit të Progresit në vitin 2023 janë nënshkruar 10 183 kontrata publike, krahasuar me 10 290 në 2022. Në 55 termat e vlerës, kontratat e nënshkruara në vitin 2023 kapnin vlerën 810 milionë euro, nga 559 milionë euro në 2022.
Në vitin 2023, vlera totale e kontratave të nënshkruara duke përdorur raportin më të mirë çmim cilësi arriti në 114 milionë euro, ose 14,19% (nga 5,66% në 2022 dhe 1% në 2021). Përdorimi i këtij kriteri është inkurajuar dhe mbështetur përmes trajnimeve nga KRPP.
Kriteri i çmimit më të ulët mbetet dominuese që përfaqëson 85.81% të kontratave publike të dhëna, krahasuar me 94.34% në 2022. Një mesatare e mirë prej 3.5 operatorë ekonomikë për tender kanë dorëzuar oferta në vitin 2023.