Mbi 102 milionë euro inkason ATK-ja nga borxhet – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Mbi 102 milionë euro inkason ATK-ja nga borxhet

14:59 | 11 Dhjetor 2019

ATK inkason mbi 102 milionë euro nga borxhet.

Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur që të inkasojë mbi 102 milionë euro nga borxhet e trashëguara ndër vite, e që ka shënuar rritje prej 42 për qind krahasuar me vitin e kaluar që kishte inkasuar rreth 72 milionë euro.

Këto të dhëna janë bërë publike në një konferencë për media, ku janë prezantuar rezultatet e aktiviteteve për mbledhjen e borxheve, me theks të veçantë aktivitetet për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve borxhlinj.

Nga zyrtarët e ATK-së po ashtu, u bë e ditur se nga janari deri në nëntor 2019, ATK ka inkasuar një vlerë prej 465.7 milionë euro, shumë kjo që në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rreth 44 milionë më tepër.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se në janar kanë pasur një stok të borxhit prej 376 milionë eurosh, ndërsa tha se sot është rreth 355 milionë euro. Ai tha se janë 21 milionë euro borxhe më pak.

Murtezaj, po ashtu, ka bërë të ditur se ATK gjatë vitit 2019 ka arritur që inkasojë vlerë prej 465.7 milionë euro, shumë kjo e cila sipas tij, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rreth 44 milionë më tepër.

Drejtori i ATK-së deklaroi se kanë paraparë edhe planin afatmesëm të veprimit të ATK-së për periudhën 2021-2021, ku tha se janë paraparë të realizohen mbi 27 reforma në 10 fusha të ndryshme. Ai u shpreh se reforma kryesore e ATK-së është konsolidimi i mbledhjes së detyrueshme.

Funksioni i mbledhjes së detyrueshme do të jetë i ndarë në katër faza, ku Murtezaj tha se faza e parë do të jetë trajtimi i hershëm i borxhit, e dyta pjesa e fillimit të bllokimit të llogarive bankare, doganës së saj dhe procedura të saj, faza e tretë përmes së cilës zyrtarët tatimor fillojnë procedurën e konfiskimit dhe faza e katërt është faza e fillimit të procesit të falimentimit të kompanisë.

Murtezaj ka kërkuar ndihmën e të gjithë shoqërisë dhe të bizneseve që ta ndihmojnë ATK në luftimin e korrupsionit, ku tha se do të jenë të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që keqpërdorin detyrën zyrtare.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i ATK-së Nijazi Asllani, ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-nëntor ATK ka zhvilluar mbi 250 procese të konfiskimit, numër i cili sipas tij është rekord nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që kanë qenë vetëm 5 raste.

Asllani bëri të ditur se pas konfiskimit bizneset kanë të drejtë që deri në momentin e shitjes në ankand të hyjnë në marrëveshje me ATK, që borxhin ta paguajnë me këste.

Ai tha se bizneset e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe gjatë vitit 2019 janë 73 milionë euro vlerë që është arritur si pasojë e këtyre marrëveshjeve, ndërsa bëri të ditur se vitin e kaluar kjo vlerë ka qenë 33 milionë euro.

Komento: