Mbi 1200 aplikantë, 643 prej tyre fitues të granteve për sektorin e bujqësisë në tri LOT-et

12:55 | 03 Korrik 2026
mbi-1200-aplikante,-643-prej-tyre-fitues-te-granteve-per-sektorin-e-bujqesise-ne-tri-lot-et

Mbi 1200 fermerë kanë aplikuar për skemën e Granteve për Investime në të tri LOT-et, në kuadër të projektit “Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve” dhe prej tyre 634 janë përzgjedhur fitues.

Kryeministri nw detyrw i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë strategjike të bujqësisë për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë ushqimore të vendit.

“Bujqësia nuk është vetëm një sektor tradicional, por është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit e të rritjes ekonomike, të sigurisë ushqimore e të ekonomisë prodhuese. Çdo investim në fermerët dhe prodhuesit tanë është investim në një Kosovë që prodhon më shumë, përpunon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon më shumë vende pune. Për ne bujqësia është një çështje e sovranitetit ushqimor. Çdo fermë që rrit prodhimin vendor e bën Kosovën më konkurruese, më pak të varur nga importet dhe më të përgatitur për sfidat ekonomike të së ardhmes. Partneriteti ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë përmes GIZ-it ka qenë për më shumë se dy dekada një nga partneritetet më të rëndësishme për zhvillimin e sektorit tonë bujqësor. Ky bashkëpunim ka mbështetur investimet, forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e politikave moderne në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Ai kujtoi një hap të rëndësishëm të ndërmarrë së fundmi nga Qeveria e Kosovës.

“Një moment i rëndësishëm u shënua në vitin 2023, kur qeveria e Republikës së Kosovës iu bashkua këtij programi si bashkëfinancuese. Për herë të parë shteti ynë nuk ishte vetëm përfitues i mbështetjes ndërkombëtare, por edhe një bashkëinvestues në një program të kësaj përmase. Ky ishte një hap i rëndësishëm drejt marrjes së përgjegjësisë më të madhe për zhvillimin e ekonomisë rurale.Interesimi për këtë program ka qenë jashtëzakonisht i madh. Mbi 1200 fermerë dhe ndërmarrës ruralë aplikuan, ndërsa pas një procesi transparent dhe konkurrues janë përzgjedhur 643 përfitues: 556 në lotin e parë, 65 në lotin e dytë dhe 22 në lotin e tretë”, tha Kurti.

Ai shtoi se këto përfitime përkthehen drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik.

“Këto nuk janë vetëm shifra, janë 643 investime në ekonominë e Kosovës, qindra biznese të cilat do të modernizohen, vende të reja të punës do të krijohen dhe familje të cilat do të kenë më shumë mirëqenie e siguri ekonomike. Për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës shpallet një numër kaq i madh përfituesish të një skeme investimesh në një proces të vetëm. Jam veçanërisht krenar që këto investime shtrihen në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky është modeli ynë i zhvillimit: mundësi të barabarta për çdo rajon dhe zhvillim që arrin në çdo komunë. Rreth 35% e përfituesve janë gra. Programi përfshin të gjitha komunitetet joshumicë të njohura zyrtarisht në Republikën e Kosovës, ndërsa një numër i konsiderueshëm përfituesish janë të rinj, të cilët po e shohin bujqësinë dhe sipërmarrjen rurale si perspektivë për të ardhmen e tyre”, tha Kurti.

Ministri i Bujqësisë në detyrë Armend Muja, tha se vetëm për LOT-in e parë kanë aplikuar 915 fermerë dhe janë përzgjedhur 556 prej tyre fitues.

“Interesimi i qytetarëve ka qenë jashtëzakonisht i madh për këtë program. Janë pranuar 915 aplikime. Ndërsa pas një procesi transparent, konkurrues dhe mbi të gjitha meritor të përzgjedhjes, janë shpallur 556 përfitues të cilët, me të cilët do të realizohen këto investime në të gjitha komunat e Kosovës.

Grantet individuale deri në 5000 euro do të mbështesin investimet në sektorë me potencial të lartë dhe me rëndësi për Kosovën: agroturizëm, prodhimi i mjaltës, përpunimi i produkteve bujqësore, kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, kultivimi i produkteve jobujqësore në zonat rurale, shpestarria, akuakultura dhe aktivitete të tjera inovative në zonat rurale.

Jemi të kënaqur posaçërisht që ky program, mes të tjerash, promovon dhe barazinë, qasjen e barabartë dhe gjithëpërfshirjen në skemat tona mbështetëse. Dhe ky do të jetë një synim në vazhdim po aq i rëndësishëm sa gjithëpërfshirja e të gjitha zonave gjeografike. Më lejoni t’ju njoftoj se në kuadër të përfituesve, 36% janë gra. Ndërsa programi po ashtu për herë të parë përfshin 30% që janë të rinj.

Programi po ashtu ka përzgjedhur përfitues nga të gjitha moshat, që tregon rëndësinë dhe adekuatshmërinë e kritereve dhe metodologjisë së aplikuar”, tha Muja.

Ai tha se është e rëndësishme që Kosova të përmirësojë të gjitha standardet prodhuese

“Kosova, është e rëndësishme që të përmirësojë të gjitha standardet e prodhimit, të gjurmueshmërisë, në mënyrë që të përfitojë nga mundësia e eksporteve në tregjet e mëdha të Bashkimit Evropian. Dhe rruga drejt Bashkimit Evropian për produktet tona, për bujqësinë, është zbatimi i sistemit të gjurmueshmërisë dhe zbatimi i kritereve, të të gjitha kritereve të sigurisë ushqimore”, tha Muja./eo

Komento: