Drejtoresha për Buxhet dhe Financa Herolinda Murati – Leka, ka njoftuar se ka përfunduar cikli i dëgjimeve buxhetore.
Sipas drejtoreshës, cikli i dëgjimeve buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027 ka përfunduar me sukses dhe në këtë mënyre do të kalohet në fazën tjetër të buxhetimit komunal, transmeton Telegrafi.
Tutje, drejtoresha Murati – Leka theksoi se buxheti për të cilën është diskutuar përfshinë shumën prej 125 milionë eurove.
Muarti – Leka tha se propozimet e dala nga këto dëgjime buxhetore do të shqyrtohen në mënyrë që të bëhen pjesë integrale e buxhetit të komunës sonë për 3 vitet e ardhshme.
“Duhet theksuar se buxheti për të cilin është diskutuar përfshinë në kumulativ 3 vjeçar një shumë prej 125,802,647.00 euro” tha Herolina Murati-Leka.
Ajo theksoi më tej se me këto dëgjime buxhetore, qytetarëve të komunës sonë, i’u është dhënë mundësia që të marrin rol aktiv në procesin e planifikimit të buxhetit të komunës.
Drejtoresha për Buxhet e Financa, shtoi se në këto takime kanë pasur banorë të lagjeve urbane, banorë të fshatrave që nga fshatrat e afërta e deri tek ato kufitare, ka pasur gjithashtu përfaqësues të organizatave rinore, OJQ, studentë, sportistë, përfaqësues nga komuniteti i kulturës, gra pensioniste, gra të vet-punësuara, aktiviste e grupe tjera të interesit.
“Ky interesim për të qenë pjesë e këtyre dëgjimeve buxhetore shpërfaq më së miri besimin që qytetarët kanë në këtë proces të rëndësishëm të planifikimit të buxhetit për komunën tonë”, tha drejtoresha Murati-Leka.