Mbi 1,400 viktima nga tërmetet në Venezuelë, familjet kërkojnë me dëshpërim të mbijetuarit nën rrënoja

10:00 | 28 Qershor 2026
mbi-1,400-viktima-nga-termetet-ne-venezuele,-familjet-kerkojne-me-deshperim-te-mbijetuarit-nen-rrenoja

Të paktën 1,430 persona kanë humbur jetën dhe rreth 50,000 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas dy tërmeteve të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën Venezuelën të mërkurën.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje, ndërsa familjet dhe ekipet e emergjencës luftojnë me kohën për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja.

Shteti bregdetar i La Guaira, pranë Karakasit, është ndër zonat më të goditura nga katastrofa. Qindra ndërtesa janë shembur, duke lënë mijëra persona të bllokuar nën beton dhe mbetje ndërtimore. Numri i viktimave dhe i të plagosurve vazhdon të rritet nga ora në orë.

Në terren, shpëtimtarët dhe banorët punojnë me duar, lopata dhe dronë për të lokalizuar shenja jete. Agjencitë humanitare theksojnë se 48 deri në 72 orët e para pas një tërmeti janë vendimtare për shpëtimin e personave të bllokuar, veçanërisht nëse ata kanë qasje në ujë dhe ushqim.

“Çdo person i shpëtuar është një mrekulli. Ne nuk do të fshehim asgjë në lidhje me shkallën e kësaj tragjedie”, deklaroi presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez.

Megjithëse në Venezuelë kanë mbërritur ekipe ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit nga Meksika, Spanja, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, autoritetet dhe organizatat humanitare pranojnë se kapacitetet në terren mbeten të pamjaftueshme për përmasat e katastrofës.

Në qytetin bregdetar Catia La Mar, ku pak ndërtesa kanë mbetur në këmbë, forcat qeveritare po shpërndajnë ushqim dhe ujë për të mbijetuarit. Presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez ka bërë të ditur se qeveria ka angazhuar të gjitha kapacitetet për operacionet e shpëtimit gjatë “orëve kritike” pas tërmeteve.

Mes dhimbjes dhe pasigurisë, familjet vazhdojnë të presin lajme për të afërmit e tyre. Jesús Suarez udhëtoi rreth 200 kilometra për të kërkuar djalin e tij, Jean Suarez, i cili dyshohet se ndodhet nën rrënojat e një ndërtese të shembur.

“Nuk ka asnjë informacion. Besoj se ai mund të jetë atje, por është e pamundur ta shpëtosh pa makineri të specializuara. Një njeri i vetëm nuk mund ta bëjë, është shumë e rrezikshme“, tha ai.

Një tjetër familje pret me ankth shpëtimin e 31-vjeçarit Carlos Eduardo, i cili ndodhet i bllokuar nën rrënoja. Të afërmit thanë se herë pas here kanë dëgjuar zërin dhe rënkimet e tij, por prej disa orësh ai nuk ka dhënë më asnjë shenjë jete.

“Ne e thërrisnim me emër dhe ai u përgjigj me një rënkim. Tani po presim ndihmë, duke shpresuar ta nxjerrim të gjallë”, rrëfeu kushëriri i tij./TCH

Komento: