
Sipas drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Arben Alika, gjatë periudhës maj-qershor, 2026, në pikat e kalimit kufitar të qarkut Kukës janë përpunuar 2 569 414 shtetas dhe 1 303 496 automjete, me një mesatare ditore prej 42 122 shtetasish dhe 21 369 automjetesh.
“Fluksi maksimal i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 74 247 shtetas dhe 28 959 automjete, tregues që konfirmojnë rritjen e ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare gjatë sezonit turistik”, theksoi ai në një konferencë për mediet.
Sipas tij, për përballimin e këtij fluksi janë shtuar kapacitetet e shërbimit në pikat e kalimit kufitar, duke u hapur 2 poste të reja pune në PKK Morinë.
Gjithashtu, shtoi Alika, po përfundon instalimi i sistemeve dhe pajisjeve të reja teknologjike, të cilat do të rritin ndjeshëm shpejtësinë e përpunimit të shtetasve dhe mjeteve, duke garantuar njëkohësisht standardet më të larta të sigurisë kufitare.
“Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë në hapësirat liqenore dhe lumore të qarkut. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse po monitorohet respektimi i kritereve të sigurisë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në hapësirat liqenore dhe lumore të qarkut dhe zbatimi i rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese. Për realizimin e këtyre detyrave janë angazhuar 57 punonjës policie, si dhe po kryhet monitorim i vazhdueshëm nga toka dhe ajri nëpërmjet dronëve”, tha ai.