Për çdo vit 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës japin dorëheqje vullnetare. Ndërsa që nga themelimi i këtij institucioni, më shumë se 2200 policë të uniformuar e kanë lënë punën. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
Arsyet kryesore për braktisjen e PK-së janë pagat që nuk ofrojnë një jetë dinjitoze, mungesa e sigurimeve shëndetësore e jetësore, mungesa e kushteve etj.
Kryesindikalisti Zeqiri thotë se shqetësuese është rritja e këtij trendi vitet e fundit. Ai thekson se braktisja e punës nga zyrtarët është e dëmshme për vetë institucionin por edhe për shtetin, pasi që është investuar shumë në ta.
“Dorëheqjet vullnetare janë shqetësim për Policinë e Kosovës, sepse janë në rritje. Gati për çdo vit kemi nga 100 ose mbi 100 dorëheqje vullnetare, e që nga themelimi i Policisë së Kosovës e deri më tani kemi mbi 2200 dorëheqje vullnetare të Policisë së Kosovës”.
“Konsideroj se kjo është një dukuri jashtëzakonisht e dëmshme që e dëmton institucionin e sigurisë, por edhe shtetin për shkak se për të gjithë ata shteti ka investuar. Domethënë janë bërë harxhime jashtëzakonisht të mëdha”.
Ai ka një thirrje në emër të sindikatës për institucionet. “Qeveria ta kthejë vëmendjen kah institucioni i sigurisë, për shkak se jemi institucioni më kredibil dhe ndër institucionet më të rëndësishme në vend”, ka thënë ai.
Arsye kryesore, sipas Zeqirit, për ikjen e një numri kaq të madh të policisë janë kushtet e punës e pagat jo të dinjitetshme. Ai ka përmendur edhe mungesën në një kohë të logjistikës.
“Vërtet ne kemi pasur mungesa edhe gjatë vitit të kaluar edhe në pjesën logjistike, qoftë uniforma, qoftë automjete, vetura, qoftë transporterë të tjerë, apo edhe mjete të teknologjisë. Kjo ka qenë pengesë sepse në Policinë e Kosovës, diku rreth 25 projekte i kanë kaluar të gjitha procedurat e tenderimit por për shkak të një mungese të gjatë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë mbetur të bllokuara. Tanimë kanë filluar disa të rishqyrtohen e disa të rikthehen nga fillimi me procedura”, u shpreh Zeqiri.
E sa i përket Ligji të Pagave, Zeqiri thotë se kjo e ka zhgënjyer edhe më shumë pjesëtarin e policisë. Ai ka thënë se paga do të rrisë pakënaqësinë dhe dorëheqjet nga ky institucion.
“Do të ndikojë që të rritet pakënaqësia dhe ndoshta do të ndikojë edhe në rritjen e dorëheqjeve vullnetare për këtë që ka ndodhur. Përndryshe unë mendoj se do të ndikonte pozitivisht po të bëhej një ligj apo një pagë më e dinjitetshme për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dukë përfshirë të dy kategoritë edhe pjesën e uniformuar, edhe pjesën e stafit civil”.
“Kudo që njeriu do të kërkojë një punë tjetër e gjen me një pagë më të lartë. Një shembull konkret; kemi shumë pjesëtarë të policisë që nga dorëheqja në Polici kanë kaluar, janë licencuar si avokatë, sepse e kanë pasur Fakultetin Juridik, e kanë dhënë provimin e Jurisprudencës dhe kanë kaluar në avokaturë dhe financiarisht i kanë punët shumë më mirë”, ka thënë Zeqiri.
E njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë se shkaku i pagës, pjesëtarët e PK-së detyrohen të migrojnë jashtë shtetit. Ai iu ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin veprime karshi kësaj dukurie.
“Duke u zhvilluar jeta deri tani, po shihet qartë që Policia është materialisht shumë në gjendje të mjerueshme, sepse me një pagë të tillë, çfarë e ka policia, është e vështirë me përballu muajin. Prandaj shkaku kryesor është baza materiale, përndryshe ka edhe disa kushte tjera. Është e vetmja Policia e Kosovës që nuk kanë sigurim shëndetësor e shumë çështje tjera. Me pagat që i marrin në këtë situatë, është tepër vështirë ta përballojë muajin”, ka thënë Tërnava për Ekonomia Online.
“Duke i parë lëvizjet e të rinjve nëpër vendet perëndimore, po gjejnë shkaqe e arsye që edhe këta të shkojnë për ta siguruar një jetë më të mirë e një ardhmëri më të mirë. Këto kushte e rrethana që i ceka janë evidente, prandaj nga viti në vit çdo herë ka fjalë se do të bëhet diçka në këtë drejtim, por njerëzve po u humb shpresa”, ka thënë tutje ai./