Mbi 3 mijë punëtorë të KEK’ut përfitojnë nga 10 tonë thëngjill falas

23:12 | 11 October 2022

Pas shfuqizimit të vendimit të vitit 2018 të Qeverisë Haradinaj, përmes të cilit iu ndalohej punëtorëve të KEK-ut të merrnin thëngjill falas, këtë të martë ka nisur shpërndarja e thëngjillit për punëtorët e që procesi pritet të zgjas rreth 30 ditë

Është kamioni i 27-të me radhë.

Përmes tyre po bartet thëngjilli të cilin punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës do ta marrin si dhuratë.

E shpërndarja e tij po bëhet sipas moshës, nga punëtorët më të vjetër deri te më të rinjtë.

Shpërndarja e thëngjillit për rreth tre mijë e 600 punëtorë ka nisur këtë të martë e parashihet të vazhdojë për një muaj.

E ata që vazhdojnë të punojnë, fillimisht duhet t’i kalojnë disa procedura për t’u pajisur me rreth 10 tonë thëngjill.

Brenda ditës planifikohen të furnizohen rreth 120 kamionë të tillë, e që të gjithë kontrollohen për mbushjen e tyre.

Ndalimi i furnizimit të punëtorëve të KEK-ut me thëngjill në vitin 2018, ishte përjetuar rëndë nga ta që punuan tërë jetën e tyre në këto miniera.

Vendimi që punëtorët të marrin thëngjill si dhuratë erdhi për shkak të krizës energjetike.

Kryesindikalisti i KEK-ut, Nexhat Llumnica thotë se ky thëngjill që shpërndahet për punëtorë nuk do të shkaktojë pengesa në prodhimin e energjisë elektrike.

Një hall i tyre për këtë dimër u zgjidh, mirëpo punëtorët e KEK-ut kanë një kërkesë.

Punëtorët shpresojnë që shpërndarja e thëngjillit falas për ta të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Komento: