
Qendra Profesionale për Gjithëpërfshirje ka ngritur alarmin për mungesën e mbështetjes profesionale për mijëra fëmijë me nevoja të veçanta në Kosovë, duke theksuar se sistemi aktual vazhdon të mbështetet kryesisht në programe ndërkombëtare.
Sipas një komunikate për media, mbi 4,000 fëmijë përballen çdo ditë me vështirësi serioze në procesin mësimor për shkak të mungesës së asistentëve të kualifikuar nëpër shkolla.
“Edhe pse arsimi gjithëpërfshirës është i garantuar në kuadër ligjor dhe dokumente strategjike, realiteti në terren vazhdon të tregojë një mungesë të theksuar të asistentëve të kualifikuar”, thuhet në komunikatë.
Të dhënat tregojnë se mbi 4,800 fëmijë me aftësi të kufizuara janë të identifikuar në Kosovë, ndërsa rreth 3,600 prej tyre janë të përfshirë në sistemin parauniversitar. Megjithatë, numri i asistentëve mbetet shumë i ulët, duke krijuar një hendek të madh mes nevojës dhe mbështetjes reale.
“Ky disproporcion krijon një hendek të madh ndërmjet nevojës dhe mbështetjes reale në klasë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e të nxënit dhe mirëqenien psikologjike të nxënësve”, theksohet më tej.
Sipas QPGJ-së, zhvillimi i këtij profesioni në Kosovë ka nisur në mënyrë të strukturuar në vitin 2017 me mbështetjen e LuxDev dhe në bashkëpunim me Pearson. Ndërsa në vitin 2024 është implementuar një program i dytë në partneritet me OCN London.
Megjithatë, mungesa e një programi shtetëror të akredituar mbetet sfidë kryesore.
“Aktualisht, në Republikën e Kosovës nuk ekziston një program publik për përgatitjen e asistentëve për nxënës me nevoja të veçanta, çka e bën këtë sektor të varur kryesisht nga partneritetet ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Në aspektin ligjor, kërkohet që ky profesion të ketë kualifikim të Nivelit V post-sekondar, ndërsa programet ekzistuese janë të harmonizuara me standardet evropiane dhe të mbikëqyrura nga Ofqual.
Psikologia dhe bashkëthemeluesja e QPGJ-së, Natyra Agani Destani, thekson se mungesa e asistentëve e bën përfshirjen vetëm formale.
“Mbështetja profesionale në klasë nuk është një shërbim shtesë, por një element thelbësor i arsimit gjithëpërfshirës. Pa asistentë të kualifikuar, përfshirja mbetet vetëm në nivel formal”, deklaroi ajo.
QPGJ vlerëson se pa një strategji të integruar shtetërore dhe investime të qëndrueshme, arsimi gjithëpërfshirës në Kosovë rrezikon të mbetet i pjesshëm dhe i pabarabartë.
“Pa një strategji të integruar shtetërore… arsimi gjithëpërfshirës rrezikon të mbetet i pjesshëm dhe i pabarabartë”, thotë komunikata.