Mbi 5 milionë euro i kërkon KQZ për organizimin e zgjedhjeve

13:39 | 27 August 2019

Pas caktimit të datës së zgjedhjeve, KQZ është mbledhur sot. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka mbajtur mbledhje pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga ana e presidencës.

Ilir Gashi nga Këshilli për Buxhet dhe Financa në KQZ, ka thënë se sipas analizave, këtij institucioni i duhen mbi 5 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ai tutje ka shtuar se çështja e buxhetit duhet të trajtohet sa më shpejt dhe institucionet nuk duhet t’i vonojnë mjetet.

“Kemi trajtuar buxhetin që na duhet, mbi 5 milionë euro. Duket një rritje e kërkesës së buxhetit sepse është konsideru rritja e pagesave për trajnerë, kryesues të qendrave të votimit. Duhet të trajtohet sa më shpejtë sepse institucionet nuk duhet të na vonojnë për mjetet “, ka thënë ai.

Enis Halimi, kryeshef i sekretariatit të KQZ-së ka thënë se nuk mund të bëjnë asnjë procedurë pa u alokuar mjetet.

Ai thotë se kanë kontaktuar edhe me Ministrinë e Financave, por se as ata nuk e kanë të qartë se si do të veprojnë.

“Ne s’mund të bëjmë asnjë procedurë për tu furnizuar pa u alokuar buxheti. është e kotë të shpallen zgjedhjet e sot të miratohet buxheti pa pasur mjete. Kemi kontaktu me Ministrinë e Financave por as ata nuk e kanë të qartë si të veprojnë. S’mund të fillojë asnjë procedurë të furnizimit. Të ndërmerret ndonjë hap sepse është e kotë të merren vendime”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se janë në pritje të buxhetit.

“Presim që ky buxhet i kërkuar të alokohet për ne. Nëse s’kemi para. i zhvillojmë procedurat vetëm deri aty ku na mundësojnë procedurat ligjërisht”, ka thënë ai.

Komento: